Transmetuar më 13-04-2014, 15:43

Athinë, 13 Prill 2014 NOA.al/ Qeveria greke ka marrë një vendim përmes të cilit ngrin për një afat disajavor çështjen e toponimeve për shtetasit shqiptarë.

Ministria e Rendit Publik dhe Mbrojtjes së Qytetarit konfirmoi se duke nisur nga e hëna 14 prill 2014 deri më 4 maj 2014, do të lejohet hyrje-dalja e shtetasve shqiptarë në kufirin greko-shqiptar.

Kjo masë e përsëritur merret me rastin e festës së Pashkës Ortodokse, raporton korrespondenti i noa.al duke cituar burime zyrtare nga ministria greke.

Sipas njoftimit, shtetasit me pasaportë ndërkombëtare shqiptare gjatë periudhës së sipërpërmendur do të lejohen të lëvizin lirisht pavarësisht problemit të toponimit. Atyre në pasaporta nuk do t’u vendoset vulë hyrëse ose dalëse nga Greqia.

Çështja e toponimeve

Prej disa vitesh, autoritetet doganore në kufijtë grekë me Shqipërinë, u hapin probleme shtetasve shqiptarë, nëse vendlindja e tyre në lokalitete greke, është shkruar në mënyrë të shqipëruar.

Kështu, nëse një fëmijë shqiptar është lindur në Greqi, nëse lindja është bërë në Selanik, kufitarët grekë, nuk pranojnë që në pasaportën ndërkombëtare të shtetasit shqiptar të jetë shënuar qyteti i lindjes, Selanik, por Thesaloniki, emri me të cilin ky qytet njihet në Greqi.

Edhe zona të tjera, janë problematike, si Kostur-Kastoria, Korfuz-Kerkira, etj.

Këtë refuzim grek e vuajnë më së shumti, shtetasit shqiptarë të lindur në Greqi gjatë viteve ’90. /a.b/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit