
Pogradec, 13 prill 2014, NOA.al- "Pensionin e saj ia dorëzon djalit tjetër, ndërkohë që jeton me mua. Sjellja e saj me ka shkaktuar sherr me bashkëshorten". Kështu ka deklaruar në polici Arjet J., 41 vjeç ndërsa akuzohet nga nëna e tij për ushtrim të dhunës psikologjike.
Safie, J., 72 vjeçe banuese në Çërave të Pogradecit u paraqit ditën e djeshme në ambientet e komisariatit të policisë për të denoncuar djalin e saj. Ajo deklaroi se kishte debate me djalin dhe nusen e këtij të fundit.
"Mua nuk më do nusja e djalit dhe për këtë arsye im bir më ofendon dhe më kërcënon. Ai kërkon që unë të largohem nga shtëpia për të jetuar me djalin tjetër, por shtëpia është e imja", ka thënë para oficerëve të policisë e moshuara.
Ndryshe ka deklaruar i akuzuari, i cili është shprehur se nëna e tij jetoi tre vjet me djalin tjetër dhe aktualisht vazhdon t’ia dorëzojë atij pensionin megjithëse nuk jeton akoma me të.
Pas marrjes së deklarimeve, policia plotësoi kërkesë-padinë për lëshimin e Urdhërit të menjëhershëm të mbrojtjes për 72-vjeçaren Safie J./k.k/a.s/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





