
Tiranë, 13 prill 2014, NOA.al- Koordinatorja për Marrëdhëniet Publike e PD, Grida Duma, lidhur me vetëhelmimin e djeshëm të një gruaje nga Korça, në një deklaratë për media u shpreh se e vetmja e punësuar në një familje korçare, i ka dhënë fund dje jetës, pasi spastrimet që po bën qeveria në administratë e hodhën atë në rrugë.
“Bruna Meko nuk e përballoi dot dhunën e dyshes Rama-Meta që pas një terrori psikologjik, dhe në dëshpërim e sipër nëna e dy djemve dhe bashkëshortja e një burri që lëngon prej vitesh në shtrat, u vetëhelmua”, deklaroi Duma.
Ajo bëri të ditur se puna që 51-vjeçarja bënte prej më shumë se 10 vitesh, ishte e vetmja e ardhur financiare për familjen Meko.
Duma shtoi më tej se të afërmit dhe kolegët e saj tregojnë se ajo i kishte paralajmëruar zbatuesit e spastrimeve në administratë, se nuk do ta përballonte dot nëse do ta hiqnin nga puna.
“Revanshi i shkarkimeve masive, skema anti-ligjore dhe anti-humane e dyshes Rama-Meta është e verbër për të parë dhe e shurdhër për të dëgjuar lutjet e një gruaje, të një nëne dhe të një bashkëshorteje”, u shpreh Grida Duma.
Ajo vijoi duke bërë të ditur se Partia Demokratike është thellësisht e indinjuar nga kjo ngjarje dhe gjendet sot pranë familjes Meko në këtë ditë të tmerrshme.
“Partia Demokratike akuzon Edi Ramën dhe Ilir Metën, dhe spastruesit e tyre në terren, si përgjegjës të zhdukjes së shpresës që po shkaktojnë me shkarkimet denigruese nga puna, si përgjegjës të ndarjes nga jeta të Bruna Mekos”, përfundoi Koordinatorja për Marrëdhëniet Publike e PD, Grida Duma. /a.s/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





