
Tiranë, 13 Prill 2014 NOA.al – Opozita thotë se ushtria shqiptare është e përfshirë në trafikun e drogës dhe kërkon nga qeveria që të japë llogari për këtë akuzë që Partia Demokratike thotë se e ka të bazuar në fakte.
Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka doli sot në mesditë para medieve ku edhe bëri të ditur nismën e PD për të thirrur në seancë dëgjimore urgjente në Komisionin e Sigurisë, Ministren Kodheli.
“Ndërkohë që forcat e armatosura gjenden përballë akuzës më të rëndë në historinë e shtetit shqiptar, se bazat e saj janë përfshirë në trafikun e drogës, Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli ka 4 ditë që është zhdukur, dhe papritur del në skenë një ambientalit”, tha Noka, duke nënkuptuar daljen në mediat të deputetit socialist, Besnik Bare.
“Ambjentalisti që doli sot nuk iu përgjigj pyetjeve të opozitës dhe të mbarë publikut tashmë, se a ka informacion Ministrja e Mbrojtjes për përfshirjen e institucionit që drejton në trafikun e drogës”, – tha z.Noka.
Më tej, ai bëri një thirrje publike ndaj zonjës Kodheli: “Zonja Ministre mos u fsheh por përgjigju: A keni informacion për përdorimin e mundshëm të infrastrukturës së forcave të armatosura për trafik droge? Nëse ke informacion, çfarë masash ke marrë para fakteve të tilla tronditëse”.
Noka tha se “Kodheli nuk mund t’i fshihet pafundësisht transparencës” dhe njoftoi:
“Partia Demokratike do të depozitojë nesër në Komisionin e Sigurisë kërkesën për seancë dëgjimore urgjente me Ministren e Mbrojtjes, për të zbardhur këtë skandal, më i rëndi në historinë e forcave tona të armatosura”.
Opozita vlerëson se përfshirja sipas saj, ushtrisë shqiptare në trafik droge, është dëmtimi më i madh që mund t’i bëhet imazhit të vendit tonë, është shkatërrim i rolit dhe i përgjegjësive që kemi si anëtar të NATO-s.
“Ministrja duhet të japë llogari për këto të dhëna tronditëse, dhe përgjegjësitë e saj dhe të kryeministrit, për këtë aferë që e njollosin Shqipërinë anëtare të NATO-s me turpet e një republikë të dështuar të trafikut të drogës”, – tha Noka. /a.b/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





