Transmetuar më 13-04-2014, 10:15

Pronari i një firme piramidale që lulëzoi në vitet 1994-1997, është dënuar në prag fundjave nga Gjykata e Rrethit të Tiranës me dhjetë vite burg për “Vjedhje me anë të mashtrimit”.

Vendimi u dha nga një treshe gjykuese e kryesuar nga Martin Deda me anëtarë Besnik Hoxha dhe Ibrahim Hoxha. Ahmet (Amedeo) Baçi, 51 vjeç, lindur në Shkodër, ishte administrator i firmës piramidale “Univers” me seli në Vorë, Tiranë.

Ai u akuzua për mashtrimin në dëm të shumë personave, në 160 raste në shumën e mbi 2.4 milionë dollarëve.

Shoqëria “Univers” shpk. është regjistruar nga Gjykata e Tiranës, me vendimin nr. 7746 datë 02.11.1993, si person juridik me qendër në Vorë, Tiranë.

Kapitali fillestar i shoqërisë ka qenë i përbërë prej 100 000 lekë, si dhe 5 000 m2 tokë të ndodhur në rrugën nacionale të qytetit të Vorës. Në muajin mars 1994, Ahmet Baçi, duke qenë ortak i vetëm dhe administrator i shoqërisë “Univers”, me seli në Vorë, Tiranë, ka filluar aktivitetin kriminal të mashtrimit në formën e huamarrjes duke vjedhur me anë të gënjeshtrës dhe shpërdorimit të besimit pasurinë e qytetarëve të ndryshëm, duke i premtuar se paratë do t`i investonte në aktivitete fitimprurëse.

Ky aktivitet kriminal është kryer për një periudhë kohore prej vitit 1994-1997 dhe ka rezultuar se është vjedhur pasuria e 160 personave, e cila është vlerësuar në një shumë totale prej 2.436.361 USD.

Fillimisht huamarrja është bërë nga qytetarë të ndryshëm të qytetit të Vorës dhe më vonë aktivitetin e tij e ka zhvilluar dhe në qytete të tjera si në Tiranë, Durrës e Fushë-Krujë. Krahas aktivitetit të huamarrjes, kjo shoqëri ka tërhequr para edhe nga dy banka të Tiranës dhe konkretisht nga BTA dhe BK-ja. Në datë 13.09.1994 nga Banka Tregtare Agrare ka tërhequr shumën prej 15 milionë lekë dhe nga Banka e Kursimeve Tiranë në datë 19.06.1995 ka tërhequr shumën prej 100 000 000 lekë pa pasur gjendje në llogari. Shuma e lekëve të tërhequra nga qytetarët në formë huaje është 541 477 938 lekë ose 5 489 436 USD.

Nga kjo shoqëri dhe nga vetë i pandehuri janë mashtruar gjithsej 435 persona.

Nga totali i huadhënësve dalin të likuiduar 275 kreditorë për shumën 301 155 260 lekë, e ndarë në 218 813 755 lekë principal dhe 82 341 485 interesa. Detyrimi i ngelur që duhet të shlyejë shoqëria dhe i pandehuri Ahmet Baçi është për 160 kreditorë në shumën 240 322 678 lekë ose 2 436 361 USD.

I pandehuri në vazhdim të aktivitetit të tij kriminal i gjendur në vështirësi për shlyerjen e interesave të radhës së kreditorëve ka arritur të marrë në formën e një llogarie të fshehtë nga llogaria nr. 1080(3620) 01 në lekë në Bankën e Kursimeve Tiranë, shumën prej 100 000 000 lekë, për 14 raste të tërhequra nga data 11.06.1995 deri në datë 03.03.1996. Nga kjo shumë e marrë ai i detyrohet akoma bankës për shumën 94 331 220 lekë, duke përfshirë këtu interesa të akumuluara.

Ky nuk ishte vendimi i parë për Baçin.

Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, me vendimin nr. 122, datë 15.02.2001, e kishte dënuar Ahmet (Amedeo) Baçin, me 13 vjet burg, për kryerjen e veprës penale të “Vjedhjes me anë të mashtrimit”, parashikuar nga neni 143 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.

Në vendimin e ri, gjykata evidenton se “përveç qytetarëve të thjeshtë që paraqiteshin si kreditorë të shoqërisë ‘Univers’ shpk, i pandehuri Ahmet Baçi për qëllime të tij në funksion të mashtrimit është dhe debitor i bankave shtetërore”.

Ecejaket në gjyqësor vazhduan derisa në vitin 2012, Kolegji Penal i Gjykatës Lartë vendosi të prishë vendimet e dy shkallëve të gjyqësorit dhënë ndaj Baçit dhe ta kthejë çështjen nga e para për rishqyrtim në Gjykatën e Tiranës, me një tjetër trup gjykues.

Ahmet Baçi u ekstradua më 07.04.2009, nga Milano e Italisë, si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Romën.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit