
Nuk fal Reali i Madridit, nuk mund ta linte ti shpëtonte asistin e Barcelonës skuadra e Karlo Ancelotit që e mbylli thjesht dhe lehtë me një 4-0 praktikën ndaj Almerias, për të parakaluar rivalët blaugrana në tabelën e klasifikimit, ku për momentin ka të njëjtën kuotë pikësh me Atletikon e Madridit.
Në Santiago Bernabeu ishte një ndeshje me një drejtim, atë që të çonte në portën e Esteban, që arriti ta ruante të paprekur deri në minutën e 28, kur u detyrua të dorëzohej para Di Marias që hyri në zonë nga e majta dhe shënoi golin e avantazhit blanko.
Almeria protestoi pasi donte të kryente në atë moment zëvendësimin e Torsilierit që ishte dëmtuar vetëm dy minuta më parë, por ishte më fat që e mbylli fraksionin e parë me disavantazhin minimal, gjithsesi në të dytën nuk mund ti rezistonte dot breshërit të sulmeve të merengesve që gjetën golin e dyfishimit në minutën e 53 me Bale, që u fut në zonë për ti djegur duart Esteban për të vënë fitoren në kasafortë.
Vetëm 3 minuta më vonë në tabelën e golashënuesve u kandidua dhe Isko që shpalosi gjithë talentin e tij në zonë dhe me të djathtën dherazi i dha goditjen e knock autit skuadrës së Fransiskos.
Me fitoren e vendosur Anceloti kishte lluksin të mos lodhte kampionët duke futur në lojë Casemiron në vend të Di Marias në të 64 dhe Moratan për Bale në të 70-ën, duke i dhënë kënaqësinë madje sulmuesit të datëlindjes 1992 të vuloste rezultatin në minutën e 85 kur prezantuar para Esteban nga një harkim perfekt i Illaramendit shënoi golin e tij të 6 në këtë kampionat dhe të 4 e sfidës.
Thënë shkurt, fitorja për Realin ishte një lojë fëmijësh, por aspak e tillë për sa i përket rëndësisë pasi në këtë aspekt është thelbësore për shpresat e Realit për të fituar La Ligan.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





