



Tiranë, 12 prill 2014, NOA.al- Publikuar 17:07/ Përditësuar- Një grup të rinjsh shqiptarë janë mbledhur në sheshin pranë Piramidës në kryeqytet, për të protestuar për torturimin dhe vdekjen e Ilia Karelit, në burgun grek.
Ata kanë qenë me flamuj në duar dhe kanë kënduar himnin kombëtar dhe kanë hedhur parulla kundër shtetit helen dhe më pas është grisur flamuri grek.
Protesta ka vijuar më tej përpara Ambasadës Greke, ku janë brohoritur në korr fjalë fyese ndaj Greqisë. Policia ka ndërhyrë për të shpërndarë protestuesit, duke përdorur edhe shkopinjtë e gomës, ku si pasojë kanë ngelur të plagsur Augent Xhaferaj, Albert Besiti, Erald Sefa, Anila Nishani, Jonader Agolli, Nurish Kola, aktivistë të Aleancës Kuq e Zi.
Dy prej protestuesve, kreu i Rinisë së Aleancës Kuq e Zi, Ardit Mekshiqi dhe nënkryetari i AK-së Albert Mesiti, janë shoqëruar në polici, ndërsa forca të shumta policore kanë rrethuar rrugën tek Blloku i Ambasadave.
Kujtojmë se Ilia Kareli, u gjet i vdekur mbrëmjen e 27 marsit, në qelinë e tij në burgun e Nigritas, ku ishte transferuar pas vrasjes së gardianit grek Jorgos Cironis, në burgun e Malandrinos. Kareli ishte transferuar në këtë burg për arsye sigurie, pas vrasjes së gardianit grek, i cili kishte refuzuar ta lejonte për të takuar nënën e tij. /a.s/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





