
Real Madrid-Bayern Munich. Një sfidë që mbetet përherë pikante sepse ajka e futbollit europian zbret në fushë për të dhënë leksione futbolli sa herë që këto dy klube përplasen në tapetin e gjelbër.
Dy skuadra që fati i ka vendosur sërish përballë në gjysmëfinalen e UEFA Champions League, por për ata që e e kanë kujtesën të fortë, bëhet fjalë për një rivalitet që ka nisur qysh prej vitit të largët 1976.
Ishte pikërisht ky vit kur gjermanët barazuan 1-1 në “Bernabeu” por fituan 2-0 takimin e dytë duke prerë biletën për më tej.
Por më e keqja nuk kishte ardhur për iberikët, të cilët u shkatërruan 9-1 në një miqësore të zhvilluar në muajin Gusht të vitit 1980, ndërsa në gjysmëfinalen e sezonit 87-88 ishte sërish Bayern që fitoi ndeshjen e parë në Gjermani 4-1, por Butragueno e Hugo i kthyen reston skuadrës bavareze duke fituar 3-0 në “Bernabeu”.
Historia flet për Bayernin në dy përballjet e grupit të sezonit 1990-2000 pasi gjermanët triumfuan 4-1 dhe 4-2, por në gjysmëfinale muzika ndryshoi dhe Reali fitoi 2-0 duke hapur rrugën drejt titullit të tetë europian.
Në vitin 2001 Bayerni kaloi rivalët në gjysmëfinale, ndërsa në 2007-ën gjeti suksesin në 1/8-at.
Akti i fundit mes dy rivalëve europianë u luajt në vitin 2012 me Bayern Munich që siguroi biletën e finales, por historia përsëritet dhe ja ku jemi përsëri përpara një tjetër sfide dyshe, e cila lë takim në datën 22 Prill.
Gjermanët mbeten favoritë, por “Los Blancos” kanë treguar se në sfida të këtij niveli transformohen, prandaj gjithçka mbetet për t’u vendosur në 180 minuta, ose ndoshta më shumë.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





