
Tiranë, 12 prill 2014, NOA.al- Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Eno Bozdo është ndalur në ambientet e shkollës 9-vjeçare “Gjon Buzuku” ku janë mbjellë 80 pemë të reja.
Në fjalën e mbajtur me këtë rast Bozdo është shprehur se vetëm në tre muajt e fundit, në Bashkinë e Tiranës janë mbjellë afërsisht 2 mijë pemë dhe bimë të tjera dekorative, dhe kjo e çon në më shumë se 16 mijë, numrin e pemëve dhe shkurreve dekorative të mbjella në qytetin e Tiranës, në afro 2 vjet e gjysëm.
“Sot Tiranës i shtohen dhe 80 pemë të tjera dekorative, të llojit kumbull e kuqe. Kemi zgjedhur mjediset e kësaj shkolle, për të sensibilizuar fëmijët, për të sensibilizuar të rinjtë, në mbështetje të politikave tona mjedisore, gjithmonë me moton tonë “Për një Tiranë sa më të gjelbër”. Por dita e sotme përcjell edhe një mesazh edhe më të fortë, në emër të solidaritetit njerëzor. Fëmijët që na ndihmuan në mbjelljen e këtyre pemëve janë jetimë, që ndoshta jeta u ka privuar përkujdesjen dhe dashurinë që meritojnë, por ata sot përcjellin një mesazh shumë të fortë sepse me anë të dashurisë dhe përkujdesjen që tregojnë duke mbjellë këtë pemë, ja përcjellin qytetit tonë të dashur, Tiranës”, u shpreh Bozdo.
Ai theksoi se Bashkia e Tiranës i ka në fokus të gjitha politikat mjedisore, për gjelbërimin e Tiranës, për ta kthyer në një qytet sa më të gjelbër./a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





