Transmetuar më 12-04-2014, 18:50

Tiranë, 12 prill 2014, NOA.al/ Klodiana Kotorri- (Përditësuar18:50) Në rrugicën që të çon në banesën private të familjes Muça janë mbledhur shokët e Klevisit, i cili humbi jetën së bashku me motrën e tij në aksidentin e ndodhur në orët e para të ditës së sotme.

Moshatarët e Klevisit janë të shokuar nga vdekja e shokut të tyre i cili u largua përgjithmonë në moshën 14-vjeçare. Klevisi kishte shkuar për të shoqëruar motrën e tij 18-vjeçe në një lokal nate pranë Bathores.

Jugjena Muça, ishte njohur me 25-vjeçarin Alfred Beluli dhe për t’ia prezantuar vëllait të saj të vetëm e kishte marrë me vete në lokalin e natës, ndërsa Beluli shoqërohej nga shoku i tij Fation Driza, 22 vjeç.

Të katër personat gjetën vdekjen pasi automjeti me të cilin udhëtonin u përplas tek një mur. Sipas policisë aksidenti ndodhi rreth orës 04:45 në segmentin Kthesa e Bathores-Instituti Bujqësor Kamzës, kur 25-vjeçari Beluli që drejtonte mjetin tip BMW me targë AA 533 IU, ka tentuar të shmangë një gropë por ka dalë nga rruga duke u përplasur tek një mur.

Në momentin e përplasjes automjetit udhëtonte me shpejtësi të madhe duke shkaktuar vdekjen e menjëhershme të tre djemve ndërsa vajza ndërroi jetë në Spitalin Ushtarak. Policia dyshon se drejtuesi i mjetit ndodhej në gjendje të dehur në momentin që ndodhi ngjarja.

Lajmi për vdekjen e katër të rinjve ka shokuar familjarët dhe të afërmit e tyre. Dhimbja më e rëndë ka qenë për familjen Muça e cila humbi në këtë aksident djalin e vetëm Klevisin dhe vajzën 18-vjeçare Jugjina.

Në familjen Muça dëgjohej kuja e nënës së dy të rinjve që disa metra larg shtëpisë. Fqinjët shprehen se është e vështirë të ngushëllosh prindërit e dy viktimave.

"Familja Muça përbehej prej gjashtë anëtarësh, prindërit dhe katër fëmijët, një djalë dhe tre vajza. Mbi dy arkivolët me trupat e pajetë të vajzës dhe djalit të vetëm të familjes qëndrojnë prindërit dhe dy motrat dhe për të gjithë ne është e vështirë ti ngushëllojmë. Një infermiere u qëndron tek koka pasi ata herë pas herë kalojnë në gjendje të fikti",- tregoi Ibrahimi, fqinj i familjes Muça.  Edhe dy familjet, Beluli e Driza kanë hapur dyert e mortit për vdekjen e dy djemve.k.k//a.s/noa.al/ Aksident me 4 të vdekur në Kamëz, mes tyre motër dhe vëlla

08:28– Katër persona kanë gjetur vdekjen si pasojë e një aksidenti të rëndë në zonën e Institutit Bujqësor në Kamëz.

Aksidenti në fjalë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit kur një makinë tip BMW ka dalë nga rrruga dhe është përplasur fuqishëm.

Kanë qenë banorët e zonës ata që iu kanë ardhur në ndihmë të dëmtuarve, ku më tej me ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse është bërë e mundur nxjerrja e trupave nga makina, të cilët u dërguan me urgjencë në drejtim të spitalit, ku për shkak të plagëve të marra mësohet se kanë ndërruar jetë.

Dyshimet e para të policisë janë se drejtuesi i makinës me targa AA533IU, i identifikuar Alfred Behluli 25 vjeç ka humbur kontrollin mbi mjetin, çka ka çuar në përplasjen e rëndë dhe dëmtimin e katër personave që ndodheshin brenda në mjet dhe më tej vdekjen e tyre.

Ndërkohë nga ana e policisë tre viktimat e tjerë të cilët ishin pasagjerë në mjet u identifikuan si Fatjon Driza 22 vjeç, Jugjena Muça 18 vjeç dhe Klevis Muça 14 vjeç, motër e vëlla.

Mësohet se katër viktimat kanë pasur lidhje miqësie dhe fisnore mes tyre, ndërsa nuk dihet ende se ku ishin duke shkuar në momentin e aksidentit tragjik.

Aktualisht nga ana e uniformave blu vijojnë hetimet për të zbuluar rrethanat e aksidentit fatal, ndërsa pista kryesore është ajo e humbjes së kontrollit si pasojë e shpejtësisë së madhe./a.y/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit