Transmetuar më 11-04-2014, 21:07

“Një sfidë të madhe”, është ky përkufizimi që Pep Guardiola jep për përballjen e Bajernit të Mynihut në gjysmëfinale kundër Realit të Madridit.

Bavarezët kuotohen nga shumëkush për tu bërë skuadra e parë që mbron me sukses kurorën Europiane, që kur Milani pasi shkatërroi Steauan e Bukureshtin në 1989 fitoi 1-0 edhe në finalen kundër Benfikës një vit më pas, citon Supersport.

Gjithsesi ish trajneri i Barcelonës është i vetëdijshëm se çfarë kërcënimi paraqesin spanjollët për shpresat e skuadrës së tij në Champions League, edhe pse statistikat thonë se Pep Guardiola është macja e zezë për Realin.

“Shorti është short, por Reali i Madridit do të thotë një short i vështirë. E njoh mirë skuadrën e tyre. Ata kanë një skuadër të madhe dhe një trajner të madh, kështu që do të jetë një sfidë e madhe për ne, por gjithsesi ne me zor po presim për ta luajtur atë”.

Takimi i parë do të luhet në Santiago Bernabeu në 23 prill dhe, edhe pse është aluduar se Cristiano Ronaldo nuk do të rikuperohet në kohë për të qenë në fushë në atë përballje, Guardiola nuk e beson diçka të tillë dhe pret që të merret edhe me yllin portugez.

“Unë besoj se ai do të luajë kundër nesh, ne do të përgatitemi për ndeshjen duke besuar se ai do të jetë në skuadrën e Realit të Madridit.

Ne pamë ndeshjen e tyre kundër Borusias së Dortmundit dhe do ti vëzhgojmë edhe në finalen e Kupës së Mbretit kundër Barcelonës të mërkurën, ne do të analizojmë gjithçka”.

Bajerni i rikthehet aksionit shtëpiak këtë të shtunë kundër Dortmundit të vendit të dytë, me bavarezët, që e kanë siguruar titullin 7 javë para përfundimit të kampionatit.

Gjithsesi Guardiola insiston se skuadra e tij do të futet në fushë për ta fituar këtë ndeshje, e madje me një gur tentoi të vrasë dy zogj duke lëshuar një thumb që vret njëkohësisht Dortmundin dhe Realin e Madridit.

“Ndeshja me Dortmundin do të jetë një provë e vërtetë. Nëse provojmë të luajmë qoftë edhe vetëm pak të relaksuar kundër tyre, nuk do të kemi asnjë shans. Reali i Madridit dhe Borusia e Dortmundit janë dy skuadrat më të mira të botës në kundërsulm”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit