Transmetuar më 11-04-2014, 19:20

Një sfidë vendimtare për pjesëmarrjen në Europa Ligë. Të tillë e konsideron Ertan Demiri transfertën me Teutën në kuadër të javës së 28 të kategorisë Superiore, ku formacioni i Marcio Sampaios synon të marrë maksimumin.

Për djemtë e Detit kampionati është treni i fundit për zonën evropiane, por 15-herë kampionët e Shqipërisë nuk kanë ndërmend të hapin rrugë, citon Supersport.

“Mund të them se sfida ndaj Teutës do të jetë vendimtare për objektivat tona. Do të jetë një përballje jetë a vdekje, sepse Teuta tashmë që është eliminuar nga Kupa, të vetmen mundësi për të luajtur në Europë, sheh kampionatin".

Pak ditë më parë 35-vjeçari bashkë me të riun Mevlan Murati u pajisën me pasaportë shqiptare, kështu që mungesa e tij në formacionin titullar nuk mund të justifikohet me numrin e kufizuar të lojtarëve të huaj që mund të luajnë njëkohësisht.

"Pasaporta shqiptare është ëndërr për çdo shqiptar, kështu që dua ta shfrytëzoj këtë fakt për të dhënë maksimumin në fushë. Shpresoj që trajneri të mos më lërë më në stol, apo të më ndërrojë në minutën e 60-të."

Demiri tregohet i sinqertë kur pyetet për mundësitë që kishte Partizani në këtë sezon: “Pjesëmarrja në Europa Ligë do të thotë objektiv i arritur.

Europa Ligë është maksimumi që mund të arrijë Partizani. Ky ishte objektivi im që ditën e parë kur erdha këtu, ndryshe nuk do të kisha firmosur."

Në fund vjen një mesazh i mesfushorit për dy tifozët e Partizanit dhe Teutës, të cilët krijuan një situatë të pakëndshme në përballjen e fazës së dytë në Niko Dovana.

"Tifozët duhet t’i mbështesin maksimalisht skuadrat e tyre dhe t’i shmangin ofendimet. Edhe ne kemi familje dhe nuk na pëlqen aspak kur na ofendojnë"

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit