
Trajneri i Barcelonës, Gerardo Martino deklaroi se ai vendos dorën në zjarr përsa i përket kapacitetit reagues të futbollistëve të tij, citon Supersport.
Sipas argjentinasit, blaugranat duhet ta lënë pas eleminimin nga Champions League dhe të përqëndrohen te sfida e kësaj të shtune me Granadën, takim i cili është shumë i rëndësishëm për të dyja skuadrat.
“E dimë që eliminimi nga Champions League ishte i dhimbshëm, por neve nuk na nevojitet asgjë për të na ngritur moralin pasi duhet vetëm të përqendrohemi te kompeticionet që na kanë mbetur.
Me Granadën nuk do të jetë një takim i lehtë pasi çdo rival është i vështirë. Ndaj tyre do të jetë një ndeshje shumë e rëndësishme për ecurinë tonë në La Liga. Gjithsesi unë jam i bindur se djemtë do të reagojnë pasi kjo është gjëja që ky ekip di të bëjë më mirë”.
Më tej numri 1 i stolit të katalanasve bëri me dije se nuk ka biseduar aspak me Andres Inestën për zëvendësimin e këtij të fundit në sfidën me Atleticon dhe nuk ka pse t’i japë shpjegime.
“Nuk kam folur me Iniestën dhe nuk besoj se atij i nevojitet diçka e tillë. Ne në ato momente të takimit duke parë edhe rezultatin kishim nevojë për një sulmues më tepër në fushë dhe kjo ishte arsyeja e zëvendësimit”.
Nuk mund të mungonte një mendim i Martinos dhe për Lionel Messin që është paragjykuar shumë nga mediat për paraqitjen e tij në ndeshjen e humbur 1-0 me Atleticon.
“Messi? Nëse vrapon 5,6 apo 15 kilometra mua nuk më intereson aspak. Ai pati disa raste të mira në atë sfidë por nuk i konkretizoi ato.
Duhet të jetë shumë e vështirë të jesh Leo Messi, sepse gjërat e padrejta që thuhen për ty nuk përfundojnë kurrë”.
Përsa i përket ndeshjes me Granadën, Tata konfirmoi mungesën e mbrojtësit Marc Bartra, i cili pësoi një dëmtim në përballjen me Los Cholconeros.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





