Transmetuar më 11-04-2014, 18:58

Tiranë, 11 prill 2014, NOA.al- Partia Demokratike nëpërmjet deputetit Aldo Bumçi i bëri thirrje Ministres së Mbrojtjes Mimi Kodheli, që të bëjë transparencë lidhur me përgjegjësitë e institucionit që ajo drejton lidhur me trafikun ndërkombëtar të drogës.

Ai tha se kjo ministri ka vënë në dispozicion të trafikut të drogës infrastruktura të Forcave të Armatosura.

Në këtë linjë ai tha se PD është thellësisht e shqetësuar për dëmtimin e rëndë që i bëhet reputacionit të vendit në sytë e aleatëve euroatlantikë.

Bumçi theksoi se deri në tani Ministrja e Mbrojtjes ka refuzuar të përgjigjet në lidhje me këtë çështje.

Deputeti demokrat renditi një sërë pyetjesh për ministren Kodheli, “A është ajo në dijeni të shqetësimit për përdorim të mundshëm të infrastrukturës së Forcave të Armatosura në trafikun e drogës? A ka informacion ajo se si ka ndodhur që kjo strukturë e rëndësishme e shtetit, pjesë e NATO-s, është përdorur në trafikun e drogës? Çfarë masash ka marrë ajo përballë këtyre ngjarjeve të rënda? Ne i kërkojmë zonjës ministre të bëjë publike sa më shpejt informacionin që ajo ka. Kjo do të ishte në shërbim të interesit publik, transparencës, në shërbim të forcave të armatosura dhe të shtetit shqiptar”.

Më herët në një qëndrim zyrtar Ministria e Mbrojtjes kërkuoi nga Prokuroria e Përgjithshme që të nisë hetimet për akuzat e ngritura nga ish-ministri Arben Imami se mjetet e ushtrisë po përdoren për transportimin e lëndëve narkotike.

Ministria e Mbrojtjes theksoi se është e gatshme të përballet me hetimin nga ky organ për akuzat e ish-ministrit Arben Imami./a.y/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit