
– Zoti Basha, në Kuvend sot zoti Imami ka bërë një akuzë të rëndë që implikon strukturën e ushtrisë në trafikun e drogës? Është një çështje jashtëzakonisht serioze. PD në opozitë ka adoptuar fakte dhe nuk flasim pa fakte dhe argumente dhe në kuadrin e kësaj akuze kam autorizuar deputetët tanë në Komisionin e Sigurisë për fakte dhe indicio të tjera. Kjo është një gjë e rëndë. Deputetët e opozitës po marrin të gjitha masat për ta trajtuar në suazën institucionale. Duke filluar nga dita e nesërme do të hedhim hapa institucionalë për zbardhjen e çështjes.
Ja çfarë tha z.Arben Imami dje nga Parlamenti:
"Zotërinj deputetë, nëse ka një gjë që mund të na largojë nga NATO është ajo që po ndodh sot. Infrastruktura ushtarake e një ushtrie të NATO-s po përdoret rregullisht për infrastrukturë të transportit të lëndëve narkotike dhe për këtë duhet të vijë e të japë përgjigje ministrja këtu".
Si reagoi sot ministria e Mbrojtjes:
"Ministria e Mbrojtjes i bën me dije opinionit publik se sot me datë 11 prill 2014 ka dorëzuar në Prokurorinë e Përgjithshme një letër drejtuar kryeprokurorit Adriatik Llalla në të cilën kërkon: të nis menjëherë hetimet me akuzat që deputeti i Partisë Demokratike, z. Arben Imami ka bërë në seancën plenare të ditës së djeshme në Kuvendin e Shqipërisë.
Në cilësinë e ministrit të Mbrojtjes, bazuar te Kushtetuta dhe ligjet e vendit, znj. Kodheli i kërkon Prokurorit të Përgjithshëm nisjen e hetimeve për këto akuza të rënda në drejtin të Forcave të Armatosura.
Ministria e Mbrojtjes garanton se në çdo moment do të bashkëpunojë me organet e Prokurorisë për të vënë në dispozicion të saj të gjithë materialet e kërkuara dhe gjithë ndihmën e nevojshme që ky institucion do të kërkojë lidhur me zbardhjen e plotë të këtyre akuzave”.
Vijon intervista e z.Basha:
– Nga kanë ardhur të dhënat z.Basha? Basha: Kjo çështje do të trajtohet në mënyrë institucionale. Situata është dramatike. Uroj dhe shpresoj që të përgënjeshtrojmë dhe lajmi të dalë një lajm i rremë. Por ju them që shqetësimi i ngritur sot nga zoti Imami do të ndiqet me seriozitetin më të madh brenda hapësirës institucionale që ka opozita, si dhe transparencën publike.
– Mund të akuzohet një ushtri e tërë për trafik të lëndëve narkotike? Ky fakt do ta bënte akoma më tronditës, por ne i jemi përveshur punës për ta zbardhur çështjen në mënyrë institucionale. Me marrjen e një sërë faktesh, kemi muaj që po i mbledhim, ne do të veprojmë duke nisur që ditën e nesërme. Po ju infornoj se opozita po bën atë që dëshiron çdo qytetar i vendit për një situatë mjaft tronditëse, që pjesë të infrastrukturës ushtarake mund të jenë përdorur për trafik lëndësh narkotike. Nënkryetari i Komisionit të Sigurisë do të depozitojë nesër një kërkesë për indikacionet që ne na kanë ardhur për këtë çështje. Më pas do të vendosim për hapat e tjerë institucionalë.
– A mendoni ju si kryetar i opozitës se vendi ka nevojë për një reformë territoriale? Kësaj i jam përgjigjur edhe më parë edhe si kryetar i Bashkisë më të madhe të vendit dhe i Shoqatës së Bashkiakëve. Qëndrimi ynë është se do të ishte në dobi të përparimit të vendit, pa përjashtuar edhe një nënprodukt të kësaj reforme, atë të ndarjes territoriale të vendit. Jemi pro një reforme të decentralizimit. Reforma është kali, ndarja territoriale është patkoi. Nuk mund të vihet karroca para kalit. Kushtetuta e vendit dhe tradita 23-vjeçare e vendit kërkon konsensus dhe konsultim qytetar.
– Zoti Rama para disa ditësh ju ka dërguar një letër për një takim të përbashkët për çështjen e reformës territoriale. Këto mund t’ja thoshit në sy, pse refuzuat? Nuk kam refuzuar. Letra që Kryeministri dërgoi nuk kishte argumente të reja nga sa kishte dhënë më parë. Kërkon bashkëpunim, por sipas votave në Kuvend. Ai kërkon që opozita të bëhet fasadë e konsensusit. Ne i kemi kthyer një përgjigje dhe nuk ka asnjë refuzim për t’u takuar. Ne e duam konsensusin dhe jemi të gatshëm. Në letrën e tij nuk ka asgjë të re. Megjithatë letra shërbeu për të sqaruar pozicionin. Por Rama nuk është për konsensus.
– Nëse zoti Rama ju fton sërish të hënë do të shkoni? Jemi gati si opozitë deri në nivelet më të larta për t’u takuar duke u nisur nga çështjet më të v Pesë prioritetet e përcaktuara nga BE, për statusin dhe negociatat.
– Pse nuk e keni ftuar ju zotin Rama? Nuk ka asnjë problem për t’u takuar, por unë po e vë theksin për 5 prioritetet e statusit.
– A keni ju një projekt për reformën territoriale? Nuk kemi dhe nuk paragjykojmë. Por pa opozitën nuk do të ketë reformë territoriale.
– Përderisa ju nuk jepni konsensus pse e pengoni këtë mazhorancë që ta bëjë reformën territoriale? Ne po kërkojmë konsensus dhe mazhoranca po thotë jo. Ne do të vazhdojmë të insistojmë për konsensusin. Nuk është tekë e jona kjo. Asnjëherë në këtë vend në 23 vite demokraci, reformat nuk janë marrë pa konsensusin e opozitës dhe zoti Rama iu afrua konsensusit kur ishte në opozitë për Kodin Zgjedhor. Konsensusin e shohim në interes të bashkëpunimit, por është mazhoranca që mendon që një reformë e këtyre përmasa mund të bëhet meqë ka numrat. Numrat nuk ia dhanë, por i bën pas procesit. Opozita është e gatshme dhe do të insistitojë për konsesusin.
– Nëse kjo reformë mbetet pezull? Ata kanë përgjegjësinë që për këtë reformë dhe reformat e tjera të rëndësishme që garantojnë bashkëpunim dhe këtë po kërkon edhe Brukseli. Duhet konsensus politik.
– Nëse mazhornmaca e voton këtë reformë çfarë do të ndodhë? Kjo është një rrugë e gabuar që nuk do t’i shërbejë vendit dhe klimës politike në vend. Ne do ta presim mazhorancën me Kushtetutën në dorë nëpër rrugët dhe sheshet e Shqipërisë. Do ta trajtojmë në mënyrë institucionale.
– Pra, do të ndërmerrni protesta popullore? Besoj se fola qartë.
– A kishte një ftesë në ditëlindjen Nuk kisha ftesë, por axhenda ime ishte paracaktuar një muaj më parë në Deçan.
– Ju keni patur raporte të mira me zotin Meta. Si shpjegohet që nuk kishit ftesë? Për këtë duhet ta pyesni zotin Meta. Nuk u ndjeva keq. Unë jam kryetar i PD-së dhe jo.
– A ka ndonjë hatërmbetje në xhepin e brendshëm të kryetarit të PD-së? Nuk e trajtoj PD-në me hatërmbetje.
– A është Meta një potencial për një aleancë me PD? Ilir Meta është aleat i Ramës dhe është përgjegjës dhe bashkautor i kauzës që e ka pllakosur vendin në fund të tunelit.
– Deputetët të PD-së pretendojnë se nuk po sulmohet zoti Meta ashtu si zoti Rama… Nuk ia vlen të spekulojmë në këtë rrafsh. Nuk qëndron kjo që thoni. Të dy bashkë ndajnë përgjegjësitë për keqqeverisjen e vendit. Opozita është ballore dhe e pandarë ndaj dyshes Rama-Meta.
– Kur do të ketë PD një lidership të dalë nga zgjedhjet e reja? PD nuk ka vakum statutor. Kryetari i komanduar i grupit kryen të gjitha funksionet që mund të kryente nënkryetari i partisë. Po ashtu edhe zonja Topalli kryen të gjitha funksionet e nënkryetarit të partisë deri në zgjedhjet e reja. Tani po zhvillohet evidentimi i anëtarësisë së partisë. Është konfirmuar fluski i anëtarëve të rinj të PD-së. Është regjistruar anëtarësia me të gjitha të dhënat dhe shumë shpejt do të bëhet publike. PD-ja është në rrugën e fuqizimit dhe ringritjes së saj. Qytetarët kanë kthyer sytë nga PD-ja. Këtë javë do të dalë udhëzimi që përcakton modalitetet që do të ndodhin zgjedhjet që nga baza. Do të nisë me një projekt pilot që do të nisë me Tiranën. Synimi është që brenda 20 majit të ketë përfunduar këtë proces për t’i hapur rrugën kuvendit të partisë.
– Jeni të vonuar? Ne në shtator do të nisim procesin për zgjedhjet lokale me një lidership të ri. Jam dakord që duhej të ishte kryer më shpejt, por për shkak të situatës së krijuar. Mund të kishte ndodhur më parë, por nuk jemi të vonuar.
– Do të ketë ndryshime rrënjësore në strukturat e PD-së? Ka një sërë ndryshimesh. Ne do të ecim drejt krijimit të një grupi për ndryshime në statut.
– Ju për cilën formë do të ishit? Është akoma herët për folur.
– Është e vërtetë ajo që thotë shtypi se do të ketë PD-ja 5 nënkryetarë partie? Ne nuk kemi përcaktuar ende asgjë dhe gazetat bëjnë punën e tyre.
– Është një opsion gjithsesi? Ne do të shohim të gjitha mundësitë.
-A do të ketë rikandidim të drejtuesve aktualë të PD-së?
Kriteret e kandidimit do të bëhen publike brenda 48 orëve të ardhshme përmes udhëzimit që do të publikojmë.
-Si e konsideroni vizitën e Kryeministrit Rama në Gjermani?
Si kryetar i PD-së nuk mund të mos përshëndes faktin që Kryeministri i vendit, Rama pritet nga Kancelarja gjermane Merkel. Ndaj plotësisht mesazhet që Merkel i dha z.Rama, mesazhin e forcimit të shtetit ligjor, të reformës në drejtësi, luftës ndaj krimit dhe korrupsionit etj. Shpresoj që z.Rama të ketë hequr dorë nga skeptikët për statusin dhe të ketë kuptuar se procesi nuk mund të bllokohet nga skeptikët por nga mazhoranca.
-A ka mëri mes PD-së e z.Stafan Fyle?
PD-ja nuk është parti e mërive por ka treguar përgjatë 23 viteve që për hir të integrimit të vendit, ka bashkëpunuar me të gjitha ata që në momente të caktura kanë qënë vendimmarrës.
-Cili është qëndrimi i opozitës në përplasjen mes mazhorancës dhe Presidentit?
Nuk është debat por uroj që Gjykata Kushtetuese ta marrë sa më shpejt në shqyrtim çështjen. Ky është një atentat që i bëhet Presidentit të Republikës.
-Ju keni thënë që PD është e hapur ndërkohë që z.Ngjela ka iniciuar një lëvizje kryesisht me të djathtë. A jeni i gatshëm të takoheni më të?
Më vjen mirë që një zë i veçantë në media siç është z.Ngjela ka marrë një pozicion kritik kundër Metës dhe LSI. Por do të doja që me të njëjtën konsenkuencë të mbante qëndrimin e tij edhe me mazhorancën. Por ky nuk është kusht që ne të takohemi. Ai ka kontributet e veta në PD. Kur kam theksuar kthimin dhe rikthimin e atyre që kanë kontribute, nuk kam përmendur emra. I vetmi kusht që mund të them është që të jenë në oponencë dhe kritik me mazhorancën e majtë.
-Do t’i bashkohet PD-ja nismës për prishjen e ndërtimeve pa leje?
PD do të ngrejë një Komision që javën e ardhshme do të zbresë në terren dhe do të evidentojë çdo ndërtim të paligjshëm. Uroj që institucionet përkatëse, Avokati i Popullit dhe Prokuroria të verifikojnë të gjitha rastet. Ministra dhe familjarë të tyre kanë ndërtuar në mënyrë të paligjshme. Mos ja lini Rilindjes Demokratike ta bëjë denoncimin e vetme. Rama bën sikur po zbaton ligjin ndërkohë që këtu në Tiranë, nën hundën e tij dhe në bregdet po ndërtojnë pa leje pushtetarët e rinj. Ua serverim fotot që disponojmë dhe që vërtetojnë ndërtimet e tyre të paligsjhme.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





