
Vlorë, 11 prill 2014, NOA.al- Skamja ka detyruar një 24-vjeçare që të përdorë për të lypur edhe foshnjen e saj vetëm 4 ditësh. Me të dalë nga materniteti i Vlorës ku lindi fëmijën e saj të katërt, 24-vjeçarja me iniciale G.S., nuk e ka “prezantuar” foshnjen me shtëpinë e tij por e ka nxjerrë menjëherë në “punë”.
Ajo është ulur në rrugën Vlorë-Skelë duke mbajtur foshnjen katër ditësh në duar dhe ka nisur tu kërkojë lëmoshë kalimtarëve. Ndërkohë që rreth saj vërtiteshin tre fëmijët e tjerë, R.M., 4 vjeç, F.M, 5 vjeç dhe J.K., 6 vjeç, të cilët kapnin kalimtarët nga këmbët për tu kërkuar lëmoshë.
Ky rast ka vënë në lëvizje policinë e cila ka marrë masa për të penguar “punën” e tre të miturve dhe foshnjës së sapo ardhur në jetë. Nëna e re duke qarë u ka kërkuar efektivëve blu të vënë dorën në zemër për të mos e penalizuar pasi është detyruar nga varfëria për të lypur.
“Nuk kam asnjë të ardhur për të ushqyer fëmijët e mi, lëmosha në rrugë është e vetmja mundësi që unë tu jap qoftë edhe një vakt bukë fëmijëve të mi”, ka treguar e reja.
Por dje policia së bashku me përfësues të institucionit të përkujdesjes shoqërore për të mitur “Shtëpia e fëmijës” 0-6 vjeç në Vlorë, i kanë marrë të katër fëmijët për t’i sistemuar në këtë qendër. Ndërkohë që prokuroria e Vlorës ka nisur hetimet ndaj nënës së re./a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





