Transmetuar më 11-04-2014, 14:35

Tiranë, 11 prill 2014, NOA.al- Lidhur me mesazhin e shumëdebatuar në Komisionin Hetimor parlamentar për lëvizjet në polici, ku thuhej se Kryeministri Edi Rama i kishte shkruar fjalë kritike Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, vjen reagimi i kreut të qeverisë.

“Sms-ja ime për Ministrin e Brendshëm? Një shpifje! Mendimi im për Saimir Tahirin? Ministri i duhur që meriton respekt për punën e palodhur”, shkruan Rama në profilin e tij në Twitter.

Ishte deputeti demokrat Flamur Noka, ai që publikoi një mesazh i cili sipas deputetit demokrat ishte dërguar nga Kryeministri për ministrin Tahiri.

Debati në Komisionin Parlamentar

Komisioni Hetimor për Shkarkimet në Polici shkaktoi debate të gjata dhe të ashpra mes përfaqësuesve të mazhorancës dhe opozitës, pas leximit të një mesazhi telefonik nga deputeti Flamur Noka, i cili pretendoi se është një mesazh që i ishte dërguar Ministrit të Brendshëm nga Kryeministri i vendit.

Flamur Noka, deputet i PD: Një sms që ju ka ardhur para pak ditësh nga Kryeministri juaj: ‘Në muajin mars 2014, dyfish vrasjë në krahasim me muajin mars 2013, gjithashtu janë përkeqësuar të gjithë treguesit e tjerë. Kjo është e trishtë për mua dhe e rëndë për qytetarët dhe shpresoj që kjo për ty të mos jetë vetëm tregues statistikor. Kjo nuk është kurrkund ajo që ke marrë përsipër përpara meje dhe ne kemi marrë përsipër përballë qytetarëve, pasi unë dhe ti, është e përsëritur thirrja ‘për hir të punës’ dhe ‘dashamirësisë njerëzore karashi teje’, por ky kufi nuk mund të shkelet në neglizhencë fatale dhe ky lëshim skandaloz i punës dhe për këtë unë jam shumë larg së menduari që problemi je ti dhe jo vartësit dhe nëse janë të paaftë ata, unë nuk kam dëshirë të merrem me ta, por mua më takon të merrem me ty. Unë besimin që ta kam dhënë, detyra dhe pritshmëria e publikut, s’e meriton gjëkundi këtë pritshmëri. Flasim nesër për më tepër, por këto orë që të kanë ngelur bëj më pak orë gjumë dhe mendo ku ke gabuar? Ç’nuk ke bërë mirë dhe ç’do bësh për t’i riparuar nëse mundesh”. Që të jem i sinqertë është hera e parë që bie dakort me Kryeministrin tend dhe kryetarin e Partisë Socialiste.

Saimir Tahiri, Ministër i Brendshëm: Unë besoj që kjo që sapo dëgjuat është arsyeja se përse policia ishte e katandisur në atë nivel.

Por socialistët reaguan ashpër duke aluduar për vërtetësinë e këtij mesazhi. Madje, ata hodhën akuza të një përgjimi të mundshëm të SHISH të celularit të Ministrit të Brendshëm, nisur edhe nga polemikat e vazhdueshme mes Tahirit dhe Visho Ajazit pikërisht për cështje që kanë të bëjnë me përgjimin e policisë dhe mosraportimin apo raportimin e Ajazit në struktura të tjera.

Blendi Klosi, deputet i PS: Pyetja juaj dhe e ripërsëritur ishte, zoti Ministër a pranoni që keni marrë këtë mesazh nga Kryeministri? Këtu unë ndërhyra, këtu ndërhyjmë. Nuk mund të pranojmë ne që ju vazhdoni dhe përgjoni bisedat telefonike të Kryeministrit me Ministrin. Kjo për mua përbën një shkelje të rëndë dhe duhet analizuar më thellë se sa ky komision.

Vetë Ministri i Brendshëm Tahiri u shpreh se mesazhin ja kishte dërguar ai vartësve të tij për shkak se gjatë muajit mars të 2014-ës, kishte një rritje të krimit.

Saimir Tahiri: Nuk kam problem t’i përgjigjem pyetjeve të këtij komisioni. Atë mesazh e konfirmova, është një mesazh që unë i kam dërguar dy bashkëpunëtorëve të mi. Besoj që Flamuri ka burime për ta gjetur atë mesazh dhe besoj e kupton ai ku. Unë jam krenar për bashkëpunëtorët e mi dhe për skuadrën e Policisë së Shtetit.

Pavarësisht se debati u mbyll pas rreth një ore, duket se cështja e përgjimit të mundshëm të Ministrit të Brendshëm do të shkaktojë polemika të tjera në orët dhe ditët në vijim.

Rama: SMS-ja ime? Një shpifje

Kryeministri Edi Rama reagoi në mbrëmje në “Twitter” për këtë çështje. “Sms-ja ime për Ministrin e Brendshëm?”, pyet Rama. Dhe përgjigjet: “Një shpifje! Kryeministri thotë mendimi i tij për Saimir Tahirin. “Ai është Ministri i duhur që meriton respekt për punën e palodhur”, deklaron Kryeministri.

PD: Ja mesazhi që Rama i çoi Tahirit. Reagimi: Turp që bini në këtë nivel

Komisioni Hetimor për largimet, lëvizjet, emërimet në Policinë e Shtetit në Kuvendin e Shqipërisë ka nisur punën me dëshminë e Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Pas pyetjes së bërë nga nënkryetari i komisionit, deputeti i PS-së Taulant Balla se si e ka gjetur ai Policinë e Shtetit, ministri Tahiri tha se situata në të cilën qeveria e re gjeti Policinë e Shtetit ishte e rendë dhe kishte nevojë për një reformim të thellë.

“Situata që gjetëm në polici ishte shumë e keqe. Kemi gjetur një situatë aspak pozitive përsa i përket korrupsionit. Policia ishte kthyer në një hambar për ata që nuk gjenin punë”, tha Tahiri.

Ministri tha se Policia e Shtetit ishte e politizuar dhe e gjunjëzuar nga presionet politike. Sipas tij, kishte lindur nevoja për të bërë një vlerësim të policisë, sepse situata që e gjeturishte më keq se pritshmëria.

Ministri tha se, Policia e Shtetit ishte e pamotivuar, ndërsa shprehu vlerësimin për drejtuesit e rinj duke theksuar se po i përgjigjen pritshmërisë.

Në vijim ai tha se së bashku me ish-drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Hysni Burgaj, u vlerësua se drejtuesit e policisë nuk i përgjigjeshin asnjë lloj ritmi për të garantuar siguri për qytetarët.

Tahiri shtoi se Burgaj në konsultim me të vlerësoi se drejtimi i policisë duhej rinovuar me ekspertë e profesionistë, dhe njerëz të aftë dhe të zotë që mund të bënin atë pune.

Më tej ministri përmendi konkretisht një oficer policie me iniciale A.K., i cili është arrestuar në një vend të Bashkimit Europian me kokainë dhe për të shpëtuar nga arrestimi, ka treguar kartën e policisë duke u shprehur se ishte agjent në mbulim.

Në vijim deputeti demokrat në këtë komision Flamur Noka lexoi një mesazh të cilin siç tha ai ia ka dërguar Kryeministri, ministrit Tahiri, “Janë përkeqësuar treguesit dhe kjo është e trishtë për mua dhe e rëndë për qytetarët. Kjo nuk është kurrkund ajo që ke marrë përsipër përpara meje dhe ne kemi marrë përsipër përpara qytetarëve. Nuk kam kohë të merrem me varësit e tu, por me ty. Mendo ku ke gabuar.”

Në këtë linjë Noka tha se në përputhje me këtë mesazh bie dakord me Kryeministrin. Nga ana e tyre deputetët socialist Paulin Sterkaj dhe Blendi Klosi deklaruan se komisioni përgjon bisedat telefonike,duke e cilësuar si shkelje të sigurisë kombëtare.

Në replikën e tij ministri Tahiri tha se ai mesazh është i tiji dhe ua ka dërguar dy vartësve, ndërsa shtoi se, "Duhet tu vijë turp që bini në këto nivele.  Ky mesazh është i muajit mars megjithëse vrasjet kanë qënë më të pakta krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë".

Lidhur me shpërthimet me eksploziv, ministri deklaroi se për to nuk është faji i Policisë së Shtetit, ndërsa nuk dha shpjegim se pse ka pasur shtim të tyre. Po në këtë drejtim ai theksoi se arrestimi i personave të lidhur me shpërthimet me eksploziv ka qenë spektakolar.

Berisha publikon mesazhin që sipas tij, Edi Rama i ka dërguar Saimir Tahirit: Rama pohon se vrasjet janë dyfishuar

Ish-Kryeministri Sali Berisha ka reaguar lidhur me mesazhin që në komisionin hetimor për lëvizjet në polici, u tha se i kishte dërguar Kryeministri Edi Rama, Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.

Ai kërkon që qytetarët shqiptarë ta gjykojnë vetë këtë mesazh për kriminalitetin, duke thënë se Edi Rama, i cili vetëm një javë më parë deklaronte në emisionin “Opinion” se vrasjet në tremujorin e parë të vitit 2014 janë 30% më të ulëta se në të njëjtën periudhë të vitit 2013, i drejton mesazh zëdhenësit të tij për rendin Simir Tahiri.

Berisha shton se Rama në mesazh pohon se vrasjet janë dyfishuar, ndërsa më tej ish-kreu i qeverisë ka publikuar mesazhin e plotë që siç thothë ai Kryeminsitri ia ka dërguar Ministrit të Brendshëm.

Mesazhi:

“Nga muaji Mars 2014 dyfish vrasje krahasuar me muajin Mars 2013, gjithashtu janë përkeqësuar gjithë treguesit e tjerë dhe kjo është e trishtë për mua dhe e rëndë për qytetarët dhe shpresoj që për ty të mos jetë vetëm tregues statistike. Kjo nuk është kërkund ajo që ke marrë përsipër para meje dhe ne kemi marrë përsipër përballë qytetarëve, pra si unë edhe ti. Është e përsëritur thirrja për hir të punës dhe dashamirësisë njerëzore karshi teje, por ky kufi nuk mund të shkelet me neglizhencë fatale, si ky lëshim skandaloz i punës dhe për këtë nuk jam shumë larg së menduari se problem je ti dhe jo vartësit e tu, dhe nëse janë të paaftë ata, nuk kam kohë dhe dëshirë të merrem me ta, por mua më takon të merrem me ty. Unë besimin që të kam dhënë, detyra dhe pritshmëria e publikut se meritojnë gjëkundi këtë pritshmëri. Flasim nesër për më tepër, por këto orë që kanë mbetur bëjë më pak orë gjumë dhe mendo ku ke gabuar, ç’nuk ke bërë mirë e çdo bësh për t’i riparuar në qoftë se mundesh”./a.y/noa.al/

Ndërpritet mbledhja e komisionit për lëvizjet në polici, Noka: Dëshmia e Tahirit të jepet live 

Komisionin Hetimor për largimet, lëvizjet, emërimet në Policinë e Shtetit në Kuvendin e Shqipërisë është mbledhur sërish sot për të dëgjuar ministrin e Punëve të Brendshme Saimir Tahiri dhe ish-Nëndrejtorin e Policisë së Shtetit, Agron Kuliçaj.

Anëtarët e djathtë të komisionit nuk pranuan që seanca me ministrin të zhvillohej pa transmetim direkt në televizione. Kjo kërkesë bëri që mbledhja të ndërpritet.

Më parë në komision kanë dëshmuar si të njohur me fakte, Drejtori i Policisë së Shtetit, Artan Didi, ish-Drejtori i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj dhe një pjesë e mirë e punonjësve aktuale, por dhe ish-punonjësve të Policisë së Shtetit.

Komisioni Hetimor përbëhet nga 15-të anëtare, 7 nga opozita dhe 8 nga maxhoranca. Komisioni i Kërkuar nga Partia Demokratike drejtohet nga deputeti i PD-së, Arben Ristani, ndërsa nënkryetar është deputet i PS-së, Taulant Balla.

Komisioni Hetimor i votuar më datë 13 Shkurt 2014 në Kuvendin e Shqipërisë, nisi punën më datë 17 shkurt dhe sipas vendimit të Kuvendit ka një kohëzgjatje prej 2 muajsh, pra pritet të japë konkluzionet e tij më datë 17-prill.

Burime pranë Partisë Demokratike kanë bërë të ditur se deputetët e opozitës po përgatisin shkresën zyrtare për të kërkuar shtyrjen e afatit të punës së tij edhe për një muaj, pasi komisioni është në fazën e hetimeve dhe ende nuk kanë nisur diskutimet për të nxjerrë përfundimet e punës./e.gj/a.y/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit