Transmetuar më 10-04-2014, 22:02

Kosovë, 10 prill 2014, NOA.al- Numri dy i Qeverisë së Kosovës thotë se është utopike që të kemi një shtet gjithë shqiptar. Në emisionin “Rubikon” të KTV-së, Pacolli tha se tashmë është e ditur botërisht se Kosova nuk do të ndahet dhe nuk do t’i bashkohet asnjë shteti.

“Por nëse krijohet një treg i përbashkët ekonomik dhe një unifikim i jetesës, nuk di çka kërkohet bashkimi kombëtar”, tha Pacolli.

Në lidhje me takimin mes dy qeverive shqiptare, ai tha se ka qenë implementim i një prej ideve të tij.

Pacolli u shpreh  më tej se me partnerin e tij të koalicionit, kryeministrin Hashim Thaçi ka pasur divergjenca. Por i vjen mirë që në fund të mandatit të tij ai ka nisur të flasë me gjuhën e ekonomisë.

Sipas tij po shpenzohet shumë energji në fushatën që ende nuk ka nisur.

Ai ka treguar për një takim që do të mbahet nesër në Presidencën e Kosovës.

“Një këshilltar i lartë më ka thirr për një takim me Presidenten nesër, në orën 12:00. Nuk e di a jam i vetëm, me disa apo me të gjithë liderët. Por qëndrimi im është i qartë, reforma së pari tani zgjedhjet”, tha Pacolli.

Kreu i AKR-së, u shpreh se me partinë që e drejton do të garojë i vetëm në zgjedhjet e përgjithshme. Nuk do të bëjë koalicion parazgjedhor.

“Koalicioni parazgjedhor na ka dëmtuar. Ne kemi programin tonë dhe duhet ta prezantojmë atë”, tha Pacolli.

Për koalicionin do ta diskutojë me partinë e cila i përshtatet më shumë programit të AKR-së.

“Nuk ka mundësi që AKR-ja të mos e kalojë pragun zgjedhor. Absolutisht nuk është preokupim i imi pragu zgjedhor por forca politike që do të marrim. Do të jemi në mes të partisë së dytë dhe tretë”, ka thënë me bindje ai. Noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit