
Vlorë, 10 prill 2014, NOA.al- Nënshkruhet marrëveshje me vlerë prej 15 milion eurosh për rehabilitimin e Portit të Vlorës mes Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës dhe Kooperacionit Italian, e cila synon të sjellë në nivele eficiente përdorimi këtë Port.
“Është një investim i rëndësishëm pasi është në përputhje me strategjinë tonë të zhvillimit të infrastrukturës portuale, i cili do t’i kthejë Vlorës mundësinë për të realizuar potencialin e saj të madh përsa i takon shërbimeve portuale dhe veçanërisht punësimit të qytetarëve”, tha Ministri Haxhinasto gjatë nënshkrimit të Marrëveshjes.
Janë 2 kompani italiane, të cilat do te zbatojnë projektin dhe do të kryejnë punimet për rehabilitimin e portit të Vlorës. “Kompania zbatuese shquhet për cilësi dhe standarte të larta të zbatimit të veprave publike, një cilësi që ne e kërkojmë dhe do ta kërkojmë në vazhdimësi me qëllim që infrastuktura jonë të jetë asgjë më pak se infrastuktura e vendeve europiane, është një kërkesë e vazhdueshme që ne tashmë e kërkojmë në të gjitha veprat dhe për të gjithë punët publike që realizohen”, tha Ministri.
Ky është një projekt, i cili do të përfundojë brenda 533 ditësh dhe do të sjellë shërbime të reja në portin e Vlorës. “Kjo përqasje do te vazhdojë në të ardhme, asnjë vepër nuk mund të quhet e përfunduar nëse ajo nuk garanton shërbimin cilësor që pritet të realizohet prej saj”, tha ai.
Gjatë nënshkrimit të Marrëveshjes ishte i pranishëm edhe Ambasadori Italian në Shqipëri Massimo Gaiani. Me autoritetet italiane jemi duke përfunduar edhe një kornizë të çështjeve që do të jenë prioritare në bashkëpunimin dypalësh, çështje të cilat do të ndikojnë drejtpërdrejt në modernizimin e infrastrukturës shqiptare dhe në dhënien e shërbimeve më të mira në sektorin e transportit dhe infrastrukturës me synim që t’i shërbejmë sa më mirë qytetarëve shqiptarë perfundoi Haxhinasto. Noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





