Transmetuar më 10-04-2014, 11:16

IBNA Special Report/ E djathta në opozitë po kërkon që partitë komuniste të shpallen të paligjshme në Shqipëri. Pse vjen kjo nismë dhe si e presin konunistët. Kronologji, si ka precipituar komunizmi në Shqipëri. Në këtë raport të IBNA, flasin deputetja e Partisë Demokratike, Mesila Doda, kryetari i Partisë së Punës së Riorganizuar, Marko Dajti

By Edison Kurani

Në Shqipëri ka nisur një debat i gjerë politik mbi ekzistencën e partive komuniste. Partia kryesore e opozitës, ajo Demokratike, po kërkon përmes deputetëve të saj që një ligj i posaçëm të kalojë për miratim në Parlament, ku të nxirren të paligjshme partitë komuniste në vend.

Doda: Po glorifikohet diktatura komuniste

Zonja Doda jep disa arsye pse duhet të shpallen të padëshirueshëm komunistët. Ajo përmend tentativën e kohëve të fundit për të rrëzuar një bust të ish Mbretit Ahmet Zogu dhe kërkesat e bëra publike nga një pjesë e qeverisë aktuale (Lëvizja Socialiste për Integrim) për të festuar me bujë 70 vjetorin e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare (LANÇL).

“Në ditet e sotme, me tendencen qe po shfaqet ne keto forca ekstremiste per akte terroriste dhe akte dhune, bëhet domosdoshmeri rikthimi i nenit qe ndalon krijimin dhe pezullon aktivitetin e ketyre monstrave politike”, thotë Doda.

Ajo shton: “Jo më pak se keto akte, jane te denueshme kerkesat per glorifikimin e se kaluares. Per te disaten here kerkohet festimi me pompozitet i LANÇL dhe ridimensionimi i Enver Hoxhës si komandant lufte. Ne fakt ishte pikerisht kjo lufte e cila perfundoi si nje lufte jo kundra pushtuesit por si lufte vellavrasese, ku nje pjese e popullsise persekutoi dhe vrau bashkëkombësit e vet. Ishte pikerisht kjo kohe kur u vrane 6000 kosovare nga bashkëpunimi komunist ne masakren e Tivarit dhe ku qeveria e atëhershme komuniste e Shqiperise ish koke e kembe e zhytur ne krim, ku qindra intelektuale u vrane dhe ekzekutuan qysh gjate luftes. Këtë 70 vjetor krimesh kerkojne të nderojne pushtetaret e sotem dhe aleatet e tyre”.

Doda thotë se “të gjithë progresistët e ketij vendi duhet te behen bashke per t’i thene jo, qellimit makaber per te nderuar te kaluaren komuniste, vellavrasese e terroriste te ketij vendi”.

Si ka precipituar komunizmi në Shqipëri

Më 8 nëntor 1941, një grup shqiptarësh themeluan Partinë Komuniste të Shqipërisë, ndërsa vendi ishte nën okupimin fashist e më tej nazist. Qëllimi i kësaj partie ishte çlirimi i vendit. Kryetar i saj u zgjodh Enver Hoxha, atëherë 33 vjeç. Më 1944, kjo parti mori në dorë shtetin pasi pushtuesit kapitulluan. Në vend nisi zbatimin e thellë sistemi komunist, duke kopjuar modele të ndryshme, herë atë jugosllav, më tej atë rus, duke vazhduar me atë kinez. Deri në vitin 1991, komunizmi ishte dominues në Shqipëri por sidomos dy-tre dekadat e fundit degjeneroi në një specie shqiptare duke u karakterizuar nga frymë diktatoriale. Rezultati, tragjedi dhe drama për qindra mijë familje shqiptare, terror psikologjik, dhunë nga më e ndryshmja, varfëri dhe humbje të vlerës dhe personalitetit njerëzor. Për më tepër, një ligj i posaçëm, shpalli të paligjshme të gjitha fetë.

Gjatë periudhës komuniste, PKSH ndryshoi emrin në PPSH – Partia e Punës së Shqipërisë. Në vitin 1991, pasi zgjedhjet e para pluraliste u fituan sërish nga kjo parti, pak muaj më vonë, kongresi i saj ndryshoi emrin në Partia Socialiste, emër që mban edhe sot. Por nuk ndryshoi vetëm emri. Gradualisht u larguan nga kjo parti, emrat e njohur të politikës komuniste dhe vetëm pak prej tyre mbijetuan më vonë.

Kur në Shqipëri u rikthye sistemi pluralist, qeveria e djathtë vendosi të “kopjojë” SHBA-të, duke ndaluar me ligj partitë komuniste. Megjithatë kjo nuk pengoi aspak disa parti që të vazhdojnë aktivitetin e tyre.

Në vitin 1997 kur në pushtet erdhi e majta, ky ligj u rrëzua.

Tani, 17 vjet më pas, historia përsëritet: Opozita e djathtë, pas tetë vitesh në pushtet, kërkon që partitë komuniste të shpallen të paligjshme.

Dajti: Ne komunistët, kemi mbijetuar edhe në ilegalitet

Aktualisht në Shqipëri ekzistojnë të paktën pesë parti komuniste. Ndër më të njohurat është Partia e Punës e Riorganizuar, aleate e Partisë Socialiste në pushtet.

Kryetari i saj, Marko Dajti, duke folur me IBNA, thotë se kërkesa të tilla që vijnë nga PD, janë të papranueshme.

“Më shumë se gjysma e anëtarëve të partisë së kusarëve, Partisë Demokratike, deri dy dekada më parë kanë qenë ish-anëtarë të PPSH-së, ose bashkëpunëtorët tanë të ish-Sigurimit të Shtetit”.

Duke folur për nismën ligjore që tentohet nga e djathta, z.Dajti vlerëson: “Ligji sot është shndërruar në instrument të një pakice që sundon mbi shumicën, që është e zhytur në luks duke lënë mbi 90% të shqiptarëve në mjerim, që mbron tradhtarët dhe sulmon patriotët, që janë shitur vetë te të huajt dhe po shesin edhe Shqipërinë dhe shqiptarët”.

Dajti mendon se ka vetëm një zgjidhje për të përmirësuar klimën e përgjithshme politike dhe sociale në Shqipëri: “I kërkoj sot me forcë kësaj shtrese politikanësh kusarë të largohen sa më parë nga rruga e abuzimit dhe e tradhtisë ndaj këtij populli dhe këtij vendi”.

Ndërsa i pyetur se cili do të ishte reagimi i PPR nëse do të miratohet ky ligj, z.Dajti thotë: “Sa për ne, komunistët, kemi mbijetuar edhe në ilegalitet, madje kemi dalë më të fortë. Por këta, të mos u shtojnë një krim të ri, krimeve të tyre të mëparshme”.

Dajti siguron se të tilla nisma “nuk e bëjnë dot këtë popull të heshtë”.

Sekretari i Parë i KQ të PPR, Marko Dajti, sfidon nismëtarët e së djathtës kur thotë: “Këta shtypës e tiranë të rinj nuk e zgjidhin dot problemin e lakuriqësisë së tyre morale duke nxjerrë jashtë ligjit forcat më përparimtare të shoqërisë. Jemi ne, komunistët, që, jo vetëm do t’i nxjerrim jashtë ligjit këto kusarë dhe tradhtarë të shoqërisë, por edhe do t’i vëmë përpara përgjegjësisë për gjithë krimet që po kryejnë ndaj këtij populli. /ibna/

English Version

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit