Transmetuar më 10-04-2014, 08:43

Tiranë, 10 prill 2014, NOA.al- Plot 900 të dënuar dhe të paraburgosur lënë gjatë ditës së sotme qelitë e 22 burgjeve në vend, për shkak të hyrjes në fuqi të ligjit për amnistinë.  Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve bën të ditur për NOA.al se, përfitimi nga ky ligj është tërësor ose i pjesshëm.

Drejtoria e Burgjeve ka deklaruar se janë marrë të gjitha masat për të garantuar zbatimin pa probleme dhe mbarëvajtjen e këtij procesi në të gjitha burgjet dhe paraburgimet në vendin tonë. Në mesin e të liruarve do të jenë dhe 35 gra të dënuara, ose thënë ndryshe, më shumë se gjysma e grave që ndodhen në burgun "Ali Demi" në Tiranë.

Veç 900 të dënuarve që lënë sot qelitë, përfitojnë ulje dënimi një vit për meshkujt dhe një vit e gjysmë për femrat, të gjithë të dënuarit e tjerë që gjenden në burgjet shqiptare. Burime zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve i thanë agjencisë noa.al se 5 900 është numri total i personave që vuajnë aktualisht dënim me burgim në burgjet e vendit.

Sipas ligjit, plotësojnë kriteret për të lënë qelitë, të gjithë të dënuarit të cilëve u kanë mbetur deri në 3 vite burg për të vuajtur, personat e dënuar me kusht apo me gjobë, apo personat për të cilët gjykata ka caktuar një nga llojet e alternativave të dënimit me burgim, për dënime të dhëna deri në datën 30 nëntor 2013, pavarësisht kohës së mbetur nga dënimi; personat e dënuar me vendim të formës së prerë, me kusht, me gjobë, apo personat për të cilët gjykata ka caktuar një nga llojet e alternativave të dënimit me burgim; personat e dënuar me burgim, të cilëve, në datën 30 nëntor 2013, u kanë mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 3 vjet, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale të parashikuara në nenin 4 të këtij ligji; të dënuarat femra, që në datën 30 nëntor 2013 janë baras ose mbi moshën 55 vjeçe; të dënuarit meshkuj, që në datën 30 nëntor 2013 janë baras ose mbi moshën 60 vjeç; të dënuarit me burgim, të cilët, në kohën e kryerjes së veprës penale, kanë qenë baraz ose nën moshën 18 vjeç. Në të gjitha rastet përjashtohen të dënuarit për krime të rënda. /e.gj/noa.al/

Përditësuar 16:46

Deri në orën 16:00 të ditës së sotme, kanë lënë qelitë e tyre 710 të burgosur,  nga të cilët:

Të dënuar:

145 të dënuar nga IEVP Peqin

88 të dënuar nga IEVP Korçë, Drenovë

82 të dënuar IEVP “Ali Demi” (nga të cilët, 25 gra dhe 57 burra)

77 të dënuar nga IEVP Lushnje

62 të dënuar nga Fushë- Krujë

54 të dënuar dhe të paraburgosur nga IEVP Rrogozhinë

54 të dënuar nga IEVP Vaqarr

53 të dënuar nga IEVP Lezhë

25 të dënuar nga IEVP Burrel

23 të mitur nga Instituti i të Miturve Kavajë

8 të burgosur nga IEVP Durrës (1 i paraburgosur, 7 të dënuar)

4 të dënuar nga IEVP Krujë

1 i dënuar nga QSB

Të paraburgosur:

9 të paraburgosur nga IEVP Vlorë

7 të paraburgosur nga IEVP Tepelenë, Bënçë

6 të paraburgosur nga IEVP “Jordan Misja”

5 të paraburgosur  nga IEVP “Mine Peza”

4 të paraburgosur nga IEVP Elbasan

3 të paraburgosur  nga IEVP Berat

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve tha se procesi i lirimit në bazë të ligjit “Për dhënie amnistie” do të vijojë, deri në përfundim të listës së plotë të të dënuarve që përfitojnë lirinë.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit