Transmetuar më 09-04-2014, 17:33

Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, pranon se nuk ka pasur konsultime gjatë procesit të përgatitjes së projektligjit të ri për Forcat e Armatosura, por shton se Presidenti është njohur me këtë draft.

Në një intervistë që dha sot në Top Channel, zonja Kodheli iu përgjigj pyetjes:

A ka pasur një konsultim paraprak me institucionin e Presidentit për këtë projektligj duke pasur parasysh faktin se kreu i shteti është njëkohësisht dhe Komandant i Përgjithshëm i FA?

Atëherë, unë dua t’ju siguroj për diçka. Në kohën që unë kam qenë në opozitë, ne kemi pretenduar me të drejtë më shumë se në një rast, se keqmenaxhimi që po i bëhej FA, pronave publike në dispozicion të FA, strukturave paralele apo atyre strukturave që dolën jashtë kuadratit ligjorë, të cilat FA me të gjithë strukturat e veta kanë detyrimin të mbrojnë dhe sigurojnë integritetin e Republikës së Shqipërisë dhe sigurinë e qytetarëve të saj, i mbetem këtij pretendimi dhe ju siguroj që do të bëj ç’është e mundur bashkë me qeverinë për ta futur historinë e FA në rrugën e drejtë, atje ku e ka nderin dhe detyrimin. Sot Ministria e Mbrojtjes, FA, Shqipëria është vend anëtar i NATO-s, ndaj dhe detyrimet që rrjedhin nga të qenit anëtarë i NATO-s janë të pasqyruara më së miri në të gjithë paketën e ndryshimeve që do të vijnë më pas. Prandaj dua nëse më lejohet të ndaj me ju diçka krejt specifike. Menaxhimi i pronave në FA do të bëhet sipas të gjitha procedurave, aspekteve ligjore dhe kushtetuese mbi të cilat është bazuar edhe sot ligji. Pra, unë në të gjitha rastet, në diskutimet që kemi bërë për këtë projektligj, kam qenë e qartë dhe e prerë se ky menaxhim siç bëhet sot nga Presidenti i Republikës do të vazhdojë të jetë i tillë. Sigurisht që draftet janë materiale në diskutim, të cilat janë dërguar për të diskutuar në institucionet që ky draft prek. Ministria e Drejtësisë, Ministria e Financave, Ministria e Brendshme, Prokuroria e Përgjithshme, institucionet e Shërbimeve Inteligjente, është Presidenca, Parlamenti, pra të gjitha institucionet që preken nga ky draft janë të njohura me propozimin që kemi bërë. Ky është një proces, përfundon si i tillë vetëm kur merr miratimin e Kuvendit të Shqipërisë. Ka një draft krejt paraprak. Unë nuk e di pse del në publik. E rëndësishme është që unë jam këtu për të siguruar diçka: Respektimin e kushtetueshmërisë dhe paprekshmërisë së kësaj që unë po them në raport me marrëdhëniet e MM, kryeministrit ndaj Kuvendit dhe pa dyshim ndaj Presidentit të Republikës.

Për vetë faktin se është hapur një debat dhe Presidenti i Republikës i mëshon faktit që me projektligjin e ri për zinxhirin e komandimit cënohen të drejtat e Presidentit, zonja Kodheli u pyet a Cënohen apo jo të drejtat e tij?

Ajo këmbënguli: “Absolutisht jo, asnjëherë dhe në asnjë rast. Unë jam këtu për të siguruar publikun edhe institucionin e Presidentit se në asnjë germë të draftit apo të projektligjit, i cili do të ristrukturohet në frymën e të gjithë reformave dhe gjithë ristrukturimit që i duhen bërë bazës ligjore, mbi të cilën mbështetet veprimtaria e Forcave të Armatosura dhe Ministrisë së Mbrojtjes, ekzekutivit dhe institucionit të Presidentit, nuk ka të shkruar ndonjë cënim të kompetencave kushtetuese të Presidentit të Republikës. Unë veçanërisht si ministre e Mbrojtjes, qeveria ku unë bëj pjesë, Kryeministri Rama janë më shumë se kurrë të vendosur të respektojnë kushtetueshmërinë e çdo ligji që ne do të kalojmë në Parlamentin Shqiptarë, të respektojmë institucionet e pavarura dhe me këtë projektligj ne do ta shtyjmë akoma më tej këtë që unë po them, do ta vlerësojmë figurën e Presidentit, duke e fokusuar detyrimin e tij Kushtetues vetëm tek ato të drejta dhe detyrime që Kushtetuta i jep Presidentit të Republikës.

Por, përse janë të nevojshme këto ndryshime që qeveria kërkon të bëjë nëpërmjet këtij drafti? Zonja Kodheli përgjigjet:

Së pari, në vitin 2009 Shqipëria është futur në NATO dhe nuk ka pasur asnjë reflektim në ligjet që ishte bazuar MM dhe FA. Njëri daton në 2004 dhe tjetri në 2007, të vjetër në opinionin e ekzekutivit. Ne jemi këtu për të rifilluar një reformë, e cila nuk filloi dhe as nuk përfundoi në FA me gjithë transformimet që janë bërë. Ajo që është më e rëndësishme është kjo gjë, FA kanë një operativitet tjetër sot që flasim dhe unë mendoj që në një moment të caktuar, në një situatë krejt shqetësuese siç mund të jenë situatat që krijohen përditë në gjeopolitikë: konflikti Ukrainë-Rusi; Krimea; konflikte të tjera si konflikti në Siri; konfliktet që vijojnë të mbeten eminente në Afganistan e kështu me radhë, krijojnë nevojën e një përgjigje emergjente të FA, të atyre uniteteve që duhet të përgjigjen në rastet e mbrojtjes kolektive dhe është në të mirë të punës, është në të mirë të përgjigjes së shpejtë që ne duhet t’i japim strukturave të NATO-s që janë struktura drejtuese edhe për FA, që nuk mund të kemi luksin të presim përgjigje, siç mund të jetë dhe rasti i ç’dekretimit apo dekretimit presidencial, megjithëse kërkesat bëhen siç është bërë në një rast ku ministri i Mbrojtjes i ka kërkuar Presidentit një ç’dekretim që nga fundi i nëntorit 2013 dhe ky nuk ka ardhur, megjithëse po shkojmë në fund të prillit. Nuk mund të jetë ky aksioni i FA të Republikës së Shqipërisë i një vendi anëtarë i NATO-s, duhet të ketë një tjetër intensitet, një tjetër aktivizim të të gjithë strukturave të FA-së. Pa dyshim pa cënuar asnjëherë dhe në asnjë rast kushtetueshmërinë që është patjetër, le të themi, ligji themelor mbi të cilin ngrihet shteti shqiptar.

Nishani: Ushtria, Rama po ndërhyn në kompetencat e Presidentit, Meta ta rrëzojë

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit