
Tiranë, 9 prill 2014, NOA.al- Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka reaguar ndaj deklaratave të Ministrit të Drejtësisë Nasim Naço, duke theksuar se qëndrimi i tij shkon në një rrugë totalisht të kundërt me bashkëpunimin e frytshëm ndërinstitucional që duhet të kenë institucionet në vend.
Në këtë linjë KLD i kërkon Ministrit të Drejtësisë dhe të gjithë aktorëve të tjerë që të mos i bëjnë shantazh gjyqtarëve, por të fokusohen në zgjidhjen e problemeve që ndikojnë në reformimin e sistemit të drejtësisë në mirëfunksionimin e gjykatave.
Po ashtu në vijim të qëndrumit thuhet se Këshilli i Lartë i Drejtësisë i vlerëson me shumë seriozitet procedimet disiplinore ndaj gjyqtarëve, procedime të cilat theksohet se kanë qënë vetëm iniciativë e inspektoratit pranë KLD, për t’u dërguar më pas nga Zëvendëskryetari i KLD në drejtim të Ministrit të Drejtësisë.
Në mënyrë të detajuar sqarohet se vetëm në vitin 2013 Ministrit të Drejtësisë i janë dërguar 24 relacione për procedime disiplinore për 16 gjyqtarë, dhe vetëm në vitin 2014 i janë dërguar 14 relacione për të iniciuar procedime disiplinore për 10 gjyqtarë dhe se në mbledhjen e fundit KLD, kishte në rend dite dy procedime disiplinore për tu shqyrtuar, ndërsa në mbledhjen e rradhës, datë 11 prill, e cila u shty pasi Ministri i Drejtësisë nuk mund të ishte prezent, janë planifikuar të shqyrtohen edhe 5 procedime, dhe me një ritëm të shpejtë do të vijojë në të gjitha procedimet disiplinore ndaj gjyqtarëve.
“Duke pasur në konsiderate faktin, se Ministri i Drejtësisë, është i vetmi organi i cili ka me ligj të drejtën ekskluzive të iniciojë procedimin disiplinor për gjyqtarët, sqarojmë se Këshilli i Lartë i Drejtësisë është në unison të plotë me rekomandimet e partnerëve ndërkombëtarë të cilët sugjerojnë se ka ardhur koha që kjo e drejtë, ky ekskluzivitet, të mos i lihet Ministrit të Drejtësisë. Kurdoherë, vullneti i KLD-së ka qënë dhe është i palëkundur për të proceduar disiplinarisht gjyqtarët që abuzojnë me sistemin, dhe është ende në pritje që Ministri të sjellë në Këshill propozimet për procedimet disiplinore, së paku, për ato raste, të cilat janë konstatuar me shkelje pas kontrolleve të ushtruara nga inspektorati i KLD”, thuhet në qëndrimin e KLD.
Më herët Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, gjatë prezantimit të projektit “Për një drejtësi pa vonesa”, deklaroi se shumë shpejt do të nisin kontrollet për të gjitha ato seanca gjyqësore që kanë vite që po zvarriten.
“Ky projekt fillimisht duhet të pranohet nga vetë gjyqtarët e më pas të zbatohet nga ata. Është e papranueshme zgjatja me vite e seancave gjyqësore. Zvarritja e proceseve gjyqësore do të bëhet objekt kontrolli. Kërkesa për rigjykim të shpejtë është një detyrim kushtetues, po ashtu edhe gjykimi brenda afatit kohor”, u shpreh ministri.
Gjatë fjalës së tij, Naço solli në vëmendje një shqetësim të një qytetari, i cili prej vitesh mbahet peng i zvarritjes së pajustifikuar nga ana e gjykatës, i dekurajuar nga neglizhenca e treguar në gjykim qytetari thekson se do të ishte më mirë që të kërkonte pushimin e çështjes dhe hapjen e një padie të re sesa të përballej me zvarritjet e pajustifikuara të çështjes.
“Këto shembuj jo vetëm që ndikojnë në perceptim negativ të qytetarëve, në uljen e besimit të tyre tek sistemi i drejtësisë por edhe në mohimin e të drejtës së palëve për një proces të rregullt gjyqësor. Jo pak raste seanca gjyqësore shtyhen edhe për mospjesëmarrje të palëve në proces apo edhe për mungesë korrektësie të palëve në paraqitjen e provave”, tha Naço.
Ministri kërkoi që, institucionet shtetërore të marrin masa për të zbatuar urdhrat dhe vendimet e gjykatave gjatë seancave gjyqësore./a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





