
Tiranë, 9 prill 2014, NOA.al- Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, gjatë një takimi me grupin e punës për reformën në pensione, e cilësoi këtë reformë si të një rëndësie të veçantë dhe tejet të domosdoshme.
Në fjalën e tij ai bëri me dije se do të ketë kufizim të pensionit maksimal, dhe se pensioni do të ketë lidhje të drejtpërdrejtë me kontributet e derdhura nga çdo individ.
Në këtë linjë ministri theksoi se gjithë ata që do të paguajnë më shumë do të marrin më shumë dhe gjithë ata që paguajnë më pak kontribute do të marrin më pak.
“Së pari, ky pension social nuk ka për qëllim dhe nuk mund të zëvendësojë pensionin që rrjedh nga skema kontributive për sa i përket masës dhe moshës së përfitimit. Qëllimi i tij i vetëm është që të sigurojë që në të ardhmen një person në moshën 70 vjeçare, i cili e gjen veten jashtë kritereve të përfitimit të skemës kontributive të pensionit, të mund të mbështetet në solidaritetin e shoqërisë për të siguruar nevojat e tij minimale. Në lidhje me kriteret e përfitimit, do të jetë një pension i cili përfitohet vetëm pas vërtetimit të nevojës së pensionit, mungesës së të ardhurave alternative, i ngjashëm me kriteret e përfitimit në skemën e ndihmës ekonomike sot”, sqaroi z. Veliaj.
Veliaj tha se për të shmangur çdo keqkuptim rritja e moshës së pensionit nuk do të prekë të gjithë ata persona që janë në prag të daljes në pension”, duke shtuar se rritja e moshës së daljes në pension vjen prej rritjes së jetëgjatësisë, duke shtuar se kjo gjë do të reflektohet edhe në skemën e pensioneve.
Sipas tij, rritja e moshës së pensionit nuk do të përfshijë ata që janë në prag të daljes në pension, porse ky diskutim ka për qëllim të sigurojë përshtatjen e skemës së pensioneve me rritjen e jetëgjatësisë në vend dhe viteve të kontributeve që nevojiten për të siguruar stabilitetin afatgjatë të skemës së pensioneve.
“Sot është fakt që njerëzit jetojnë më gjatë dhe se për shkak të angazhimeve universitare, ata hyjnë në një moshë më të madhe në tregun e punës. Prandaj, është e domosdoshme që mosha e pensionit të rritet me të njëjtin ritëm me rritjen e jetëgjatësisë”, tha ai.
Grupi teknik thuajse ka përfunduar dokumentin e politikave dhe pasi të përcaktohen edhe detajet finale, ky dokument do të bëhet public, duke synuar një dialog të gjerë me opozitën, partnerët socialë, grupet e interesit etj. /a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





