Transmetuar më 09-04-2014, 14:00

Tiranë, 9 prill 2014, NOA.al- Në përgjigje të deklaratës së Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, e cila mbështet grupin e interesit të autoveturave taksi 8+1 vende, Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës sqaron se ky grup kërkon të ushtrojë veprimtarinë në kundërshtim me ligjin aktual:

Ministria thekson se ka shqyrtuar kërkesa e shoferëve dhe shprehet se ato janë në kundërshtim me ligjin dhe direktivat evropiane për transportet rrugore dhe kodin rrugor.

Sipas ministrisë, mënyra e operimit në linja të rregullta njëlloj si autobusët është një konkurrencë e pandershme ose deformimi më i madh që mund t’i bëhet tregut të transportit të udhëtarëve, duke çuar në këtë mënyrë shoqëritë e transportit të udhëtarëve me autobus drejt falimentimit.

“Ky lloj transporti është jashtë çdo kushti normal të udhëtimit, te konfortit dhe me kosto me te larte ku çdo udhëtar, për të njëjtin udhëtim, duhet të paguaj më shtrenjtë se në transportin me autobus. Mbi të gjitha ky lloj transporti përmban komprometimin më të rëndë të sigurisë në rrugë të udhëtarëve. Për këtë çështje, dialogu dhe komunikimi i MTI me shoqatën e taksive 8+1 dhe me sindikatën ka qenë i vazhdueshëm. Janë bërë disa takime dhe shkëmbyer po kështu disa letra në komunikimin normal edhe me BSPSH”, shprehet në deklaratën e saj Ministria e Transportit.

Ajo ju kujton shoferëve se, me qëllim zgjidhjen vetëm përmes rrugëve ligjore, kanë  sugjeruar që forca politike që mbështet operimin e autoveturave taksi 8+1, për transport te rregullt ndërurban, i ka të gjitha mundësitë që të propozojë në Kuvend amendamente për ndryshimin e legjislacionit.

Në këto takime dhe shkëmbime shkresore, Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës ka propozuar që deri më 31 Dhjetor të këtij viti, “Autoveturat taksi të operojnë në linja të rregullta brenda qarkut ku ndodhet bashkia qe i ka licencuar për shërbimin taksi; të vendosin në gjendje pune taksimetrin; ofrimin e operimit të autoveturave me 8+1 vende në disa shërbime për të tretë: transporti nga hotelet në drejtim të portit apo aeroportit; transporti në grup i udhëtarëve për në dhe nga qendrat e mëdha tregtare apo turistike në periferi; transporti i punonjësve për në dhe nga vendet e punës, etj”.

Gjithashtu Ministria e Transportit është shprehur se ajo mbetet e hapur për diskutim të mëtejshëm të këtyre propozimeve.

“I sigurojmë shoqatën së taksive 8+1 dhe BSPSH se, se Ministria e Transportit motivohet në punën e saj nga rregullimi i tregut te transportit, i trashëguar ne gjendje anarkie te plote, nga cilësia dhe siguria e shërbimit per qytetaret dhe jo nga paligjshmëria apo ultimatumet.  Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës edhe ne te ardhmen do te mbështesë të gjithë grupet e interesit por mbi të gjitha do te mbroje interesat e qytetarëve dhe sigurinë e tyre”, shprehet në dëklaratën e saj Ministria e Transportit.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit