
Tiranë, 9 prill 2014, NOA.al- Pas suksesit të korrur dhjetorin e shkuar në teatrin Brancaçio të Romës, më 5 maj 2014 Anbeta Toromani, Kledi Kadiu e balerinë të tjerë të famshëm në katër anët e botës, do të kthehen me "Hera e Parë", atje ku e nisën karrierën e tyre, në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë.
Spektakli, i ideuar nga Kledi Kadiu e Anbeta Toromani, nën drejtimin artistik të Gentian Dodës, do të bashkojë edhe në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë, aty ku hodhën hapat e parë të karrierës, balerinët shqiptarë ndër më të famshmit, Anbeta Toromani, Kledi Kadiu, Erjon Kruja, Brigel Gjoka, Hektor Budlla, Leart Duraku, Rezart Stafa, Dorian Grori, e miqtë e tyre Claudia Vecchi, Beatriz Uhalte Cisneros, Alessandro Macario.
Janë të gjithë artistë të angazhuar në kompani baleti, ndër më prestigjiozet në botë, si: Hofesh Shechter Company, The Forsythe Company, Aterballetto, Balletto di Roma, Teatro san Carlo di Napoli, Compania Nacional de Danza, Balletto Classico Cosi Stefanescu, Balletto di Montecarlo. Kishte lindur pikërisht si një homazh për vendlindjen në 100-vjetor të Pavarësisë. /noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





