
Shkup, 9 Prill 2014 NOA.al – Kryeministri i ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë, Nikola Gruevski, njëkohësisht kryetar i partisë qeverisëse VMRO-DPMNE, kërkon votën e elektoratit maqedonas për të fituar 63 vende deputetësh për të shmangur kushtet që i vihen nga partitë shqiptare në koalicion.
“Me fuqinë tonë ata nuk do të kenë mundësi për të na nënvlerësuar dhe kushtëzuar që të kemi dygjuhësi në të tërë territorin e vendit apo edhe të na kushtëzojnë që të gjithë të mësojmë gjuhën shqipe”, deklaroi Gruevski në intervistën që i dha mbrëmë televizionit Nasa Tv në Shkup.
Menjëherë më pas ai shtoi se nuk ka asgjë kundër mësimit të gjuhës shqipe, sepse çdo gjuhë është pasuri. “Por është problem që të detyrosh me forcë njerëzit në Strumicë, Gjevgjeli, Kratovë apo Shkup të mësojnë gjuhën shqipe”, theksoi lideri i VMRO-DPMNE.
Z.Gruevski tha se mazhoranca aktuale që synon mandat të ri, premton realizim të plot 2046 projekteve në katër vitet e ardhshme, por thotë se ato mund të realizohen vetëm nëse kjo parti merr jo 59 por 63 mandate në parlamentin me 123 vende, me qëllim që të shmangen kushtëzimet e partive shqiptare gjatë formimit të koalicioneve pas zgjedhjeve.
“Pse na duhen 63 deputetë dhe jo 59? Sepse ne me këtë fuqi do të realizojmë të gjitha projektet që kemi, edhe 2046 projektet. Me këtë fuqi do të shkelim në dërrasë të fortë dhe nuk do t’i përkulemi shantazheve apo pazarllëqeve me partinë shqiptare BDI dhe partitë e tjera”, tha Gruevski.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





