
Greqi, 8 prill 2014, NOA.al- Integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian, ka qenë kryefjala e diskutimit në takimin mes Ministres së Integrimit Evropian, znj. Klajda Gjosha dhe Ioannis Tragakis, Zv. Kryetar i Parë i Parlamentit dhe Kryetar i Komitetit Parlamentar për Çështjet Evropiane.
Ministrja Gjosha, vlerësoi rolin e Greqisë në stabilitetin e rajonit dhe theksoi se Shqipëria e sheh Greqinë si një partner shumë të rëndësishëm.
“Vlerësojmë mbështetjen e vazhdueshme që Greqia i ka dhënë Shqipërisë, si për integrimin euro-atlantik, por edhe për zhvillimin ekonomik të vendit tonë, pasi janë me qindra mijëra shqiptarët që jetojnë dhe punojnë këtu. Ne vizionin e qeverisë së re, intensifikimi i dialogut i cili është reflektuar edhe me shkëmbimin e vizitave të muajve të fundit, tregon për një klimë edhe më miqësore e pozitive mes dy shteteve tona, duke i dhënë një dimension të ri këtij bashkëpunimi”, u shpreh ministrja gjatë takimit.
Z. Ionannis Tragakis, nga ana e tij theksoi se Greqia mbështet politikën e zgjerimit të Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor.
“Mbështesim integrimin e Shqipërisë në BE dhe jemi shumë të kënaqur me shkëmbimin e vizitave dhe më këtë dimension të ri të marrëdhënieve dypalëshe të vendosur muajt e fundit”, tha Tragakis.
Ministrja Gjosha theksoi se për Shqipërinë është prioritet kombëtar procesi i integrimit në BE dhe nënvizoi rëndësinë që ka fakti se pikërisht në këtë moment Presidenca e Unionit mbahet pikërisht nga Greqia.
“Mendojmë se nëse Shqipëria bëhet pjesë e Bashkimit Evropian edhe marrëdhëniet dypalëshe zgjidhen dhe forcohen më mirë. Grupet e miqësisë të krijuara në Kuvend, duket se po i japin një shtysë tjetër bashkëpunimit mes vendeve tona”, tha Ministrja Gjosha.
Bashkëbiseduesit theksuan rëndësinë e projekteve TAP dhe Adriatik-Jonian si dhe vlerësuan si me mjaft vlerë që Shqipëria dhe Greqia të zgjerojnë bashkëpunimin në fusha të tilla si : energjia, turizmi, mjedisi etj. /e.gj/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





