Transmetuar më 08-04-2014, 10:09

Tiranë, 8 prill 2014, NOA.al – Ligji për burimet e rinovueshme duhet të rishikohet dhe i tërë sistemi energjetik ka nevojë për reformë të thellë.

Kërkesat vijnë nga ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri. Në një tryezë që u mbajt sot për sektorin energjetik në vend, z.Gjiknuri ka vënë theksin tek shqetësimet kryesore që po has sot qeveria në fushën e energjetikes dhe strategjinë që ka përgatitur ministria për kapërcimin e çdo ngërçi.

Gjiknuri pohoi se në sektorin e energjisë ka humbje të mëdha dhe kërkoi që të bëhet gjithçka për të ulur humbjet në rrjet.

“Fatkeqësisht situata energjetike dhe gjendja financiare e sektorit nuk është e mirë prandaj dhe ka nevojë për energjitë e qeverisë shqiptare. Ka nevojë dhe për një mirëkoordinim të asistencës ndërkombëtare, për të adresuar disa nga problemet themelore në mënyrë që sektori energjetik që është shumë i rëndësishëm, të jetë faktori nxitës për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit”.

Z.Gjiknuri tha se nisur nga kjo situatë qeveria ka marrë seriozisht adresimin e problemeve që vuan sektori energjetik i cili përballet me një deficit të madh monetar duke akumuluar borxhe të mëdha.

“Kemi kompani të cilat performojnë të gjitha me humbe për shkak të mungesës së likuiditetit në sektor. Kemi dhe disa çështje të tjera që janë krijuar nga politika të pamenduara mirë dhe të paplanifikuara që duhet të adresohen” tha Gjiknuri.

Duke u ndalur tek çmimi i energjisë, ministri tha se ai nuk duhet të godasë qytetarët.

“Banka Botërore do të japë mbështetje financiare edhe për këtë sektor, por mund të mos jetë e sigurt rimëkëmbja e tij, nëse nuk shoqërohet me reforma të tjera. Është shumë e rëndësishme pasja e një strategjie, që rezultatet të jenë të dukshme”.

Ministri njoftoi se do të ketë një ligj të ri për energjinë, i cili krijon mundësinë e hapjes së tregut të energjisë, pra liberalizimin. Ai tha se “20% e tregut do të jetë jashtë tregut të rregulluar të energjisë”, duke pohuar se “kjo ju jep mundësi prodhuesve të pavarur të energjisë”.

Gjiknuri tha edhe se do të gjendet një zgjidhje për shpërndarjen e energjisë duke theksuar se CEZ duhet të shtetëzohet sërish. “Të investojmë në këtë sektor, pasi përveç abuzimit ka edhe mungesë investimesh. Shpresojmë për një zgjidhje miqësore, por CEZ Shpërndarje duhet të kthehet në administrim të plotë shtetëror, që të bëjmë të mundur investimet nga donatorët”, tha Gjiknuri. /e.gj/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit