Transmetuar më 07-04-2014, 16:40

Tiranë, 7 prill 2014, NOA.al- Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës Enno Bozdo, ka vizituar nga afër kushtet në kompleksin e banesave sociale, ku deklaroi se në mbledhjen më të afërt do t’i propozohen për vendimmarrje Këshillit Bashkiak kriteret për vendosjen e qerave minimale dhe maksimale të banesave sociale.

“E kemi marrë në dorëzim këtë qendër shumë vonë, për arsye se ka pasur problematikë të akumuluar, zhvendosja e linjës 110 KW të tensionit të lartë, mos furnizimi i banesave me ujë dhe me energji elektrike në mënyrë të rregullt, dhe për më tepër pastaj na u desh edhe të paguanim të gjitha borxhet e akumuluara për këtë projekt nga administrata e kaluar. Pas marrjes në dorëzim, pa humbur kohë, Bashkia ka punuar me një ritëm të lartë dhe sot ne i kemi propozuar Këshillit Bashkiak kriteret thelbësore për vendosjen e qerave minimale dhe maksimale, dhe vendosjen e të ardhurave minimale dhe maksimale për të gjithë ata qytetarë të Tiranës që duan të marrin këtë shërbim dhe përfitojnë nga këto banesa sociale. Ka dy nivele qeraje, të cilat shkojnë në logjikën e nivelit të të ardhurave të banorëve. E reja që ne kemi futur është gjithashtu që ky program i banesave sociale të bashkërendohet në të njëjtën kohë me programin e subvencionimit të qerasë. Pra, në qoftë se kemi një familje me të ardhura të ulëta që nuk kap nivelin minimal të të ardhurave, atëherë përfiton qeranë më të ulët duke u subvencionuar nga Bashkia”, deklaroi nënkryetari Bozdo.

Ai theksoi se pas marrjes në dorëzim rreth një muaji më parë të banesave sociale ka nisur punën për përfundimin e te gjitha modaliteteve që do të çojnë në shpërndarjen sa më parë të tyre, ku bëri me dije se aktualisht, po shqyrtohet dokumentacioni i 1200 aplikimeve.

Bozdo shprehu gatishmërin që 385 apartamentet të shpërndahen në më shumë se 1200 aplikime të marra deri më tani nga qytetarët e Tiranës, duke filluar që nga viti  2007.

Po ashtu ai u bëri thirrje të gjithë atyre që kanë aplikuar të rifreskojnë dokumentacionin, sepse është kërkesë ligjore./a.y/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit