Transmetuar më 07-04-2014, 11:45

Vlorë,7 prill 2014, NOA.al-  Prezantohet në Vlorë prefektja e re Etjona Hoxha, e cila zëvendëson në këtë post ish-prefektin Besnik Dervishi.

Ceremonia e prezantimit u organizua në teatrin “Petro Marko”, ku ka marrë pjesë edhe kryeministri Edi Rama dhe ministri i brendshëm Saimir Tahiri.

Në fjalën e tij, kryeministri Rama uroi prefekten e re për detyrën, duke shprehur bindjen se falë punës dhe përkushtimit të saj shumë gjëra do të ndryshojnë në qytet.

Rama shprehur bindjen se falë bashkëpunimit të institucioneve, do të ndryshojnë marrëdhëniet shtet-individ.

Kryeministri ka shprehur vendosmërinë se qeveria do të mbajë premtimet dhe zotimet e bëra.

“Ne do të nxisim punësimin, nuk mund të vazhdojmë me traditën e  rrënimit, por jemi të vendosur të ecim shpejt përpara dhe të bëjmë realitet rilindjen e Shqipërisë”, u shpreh Rama.

Duke u ndalur tek emërimet dhe shkarkimet në administratë, Rama ka kërkuar që t’ju jepet fund shkarkimeve e emërimeve  për interesa të ngushta. Rama kërkoi që të vendosen njerëz profesionit me qëllim që të krijohen institucione të afta.

Ndërsa ministri Tahiri theksoi se deri në momentin kur reforma të bëhet realitet mbetet në dorën e prefektit të ushtrojë përgjegjësi në mënyrën që shërbimi i prefekturës të jetë sa më afër qytetarëve.

“Ky është një moment për të ritheksuar prioritetet e qeverisë që janë ndjekur nga Besniku dhe do ndiqen nga Etjona që i uroj suksese. Qeveria dhe kryeministri kanë komunikuar në publik që institucioni i prefektit duhet reformuar. Ky është një ndër qëllimet e shumta prioritare që do adresohet me reformën administrative qeverisja më afër qytetarëve dhe modernizimi i shërbimeve ndaj qytetarit.

Deri në momentin kur reforma të bëhet realitet mbetet në dorën e prefektit të ushtrojë përgjegjësi në mënyrën më përparimtare që shërbimi i prefekturës të jetë sa më afër qytetarëve. Për këtë shkak prefekti është qarkuar kryetar i grupit të punës për reformën administrative. Institucioni i prefektit duhet të kordinojë punë me strukturën shtetërore. Të verifikojë ligjshmërinë e akteve të strukturave vendore. Pushteti vendor merr edhe vendime që kanë nevojë për shqyrtim.”- u shpreh Tahiri.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit