
Tiranë,7 prill 2014, NOA.al- Prokuroria e Përgjithshme ka përfunduar draftin për Kodin e Etikës së prokurorëve. Kjo është bërë e ditur nga, Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla gjatë një takimi me prokurorët, ku ka deklaruar se dënimet do të jenë të ashpra për çdo prokuror që do ta shkelë atë.
“Shqipëria është në një fazë shumë të rëndësishme në rrugën drejt Bashkimit Europian. Në këtë kuadër, Prokuroria Shqiptare është e angazhuar të adaptojë standartet perëndimore në aktivitetin institucional. Tashmë është përfunduar drafti i Kodit të ri të Etikës së Prokurorëve, një dokument i hartuar me asistencën e Misionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, OPDAT, të cilët i falenderojmë. Aktualisht ekziston një Kod Etike, i miratuar në vitin 2005 nga Shoqata e Prokurorëve, i cili nuk përmbush kërkesat për ruajtjen dhe forcimin e integritetit moral të prokurorëve. Për këtë arsye, u vlerësua shumë e nevojshme që të ridimensionohej ky akt dhe të përfshihej në aktet nënligjore, me fuqi detyruese, të miratuara nga Prokurori i Përgjithshëm”, deklaroi Llalla.
Ai theksoi se Kodi i ri i Etikës përcakton parimet bazë të sjelljes, të cilat ndalojnë veprimet në kundërshtim me interesat publike.
Kryeprokurori theksoi se dokumenti i ri bazohet në gjashtë parime bazë, të cilat ndikojnë pozitivisht në rolin e prokurorit, si gjatë ushtrimit të detyrës, ashtu edhe jashtë saj: Pavarësia, Paanësia, Objektiviteti, Iniciativa, Dinjiteti dhe Bashkëpunimi.
Ai përmendi si risi në draftin e ri normimin e sjelljes së prokurorit jashtë orarit zyrtar, ku shtoi se Prokurori, pavarësisht rrethanave dhe kushteve, duhet të jetë i aftë që të reflektojë dinjitet moral dhe profesional.
Llalla nënvizoi se Prokuroria është përballur gjatë dy dekadave të fundit me mungesën e besimit nga ana e opinionit publik dhe kjo, për faktin se prokurorë të ndryshëm nuk kanë respektuar pikërisht parimet bazë të etikës.
Gjithsesi ai theksoi se janë vetëm një numër i kufizuar prokurorësh që veprojnë në kundërshtim me normat e etikës.
Në vijim kryeprokurori deklaroi se për monitorimin e etikës së prokurorëve, Kodi i ri ka parashikuar krijimin e një strukture të posaçme; Inspektorin e Etikës.
“Kjo njësi do të komunikojë drejtpërdrejtë me Prokurorin e Përgjithshëm dhe do të marrë të gjitha hapat e nevojshme për të përmirësuar performancën e prokurorëve. Ju garantoj se disa prej masave mund të jenë shumë të ashpra. Por, mendojmë se është e nevojshme për të forcuar integritetin e prokurorëve në ushtrimin e detyrës, sidomos jashtë saj. Forcimi i besimit të opinionit publik nuk arrihet vetëm me shprehje vullneti, me diskutime në tryeza dhe me akte nënligjore. Nuk arrihet me imponim, por vetëm me korrektesë maksimale në përmbushjen e detyrës. Nëse ka prokurorë, të cilët nuk pranojnë të përmbushin parimet bazë të etikës, në këtë fazë janë të mirëpritur që të krijojnë hapësira për njerëz të tjerë. Në të kundërt, në një kohë shumë të shpejtë do të jetë struktura që do të veprojë mbi ta”, tha ndër të tjera Llalla./e.gj/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





