Transmetuar më 05-04-2014, 14:00

Kosovë, 5 prill  2014, NOA.al- Në kuadër të vizitës në Kosovë, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Ilir Meta ka bërë homazhe në kompleksin e varrezave në Prekaz, dhe është ndalur në Kullën e Jasharëve, ku u prit nga përfaqësues të familjes së njohur për kontributin në luftën për çlirimin e Kosovës.

Pasi vendosi një buqetë me lule në varrin e Komandantit Legjendar, Adem Jashari, z. Meta e ka cilësuar një detyrim të secilit që të vijë ta vizitojë këtë vend, pasi lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në përgjithësi dhe qëndresa e rezistenca e Jasharajve në veçanti, sollën lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

“Është një detyrim për të ardhur këtu gjithmonë sa herë vijmë në Kosovë për vizita në emër të institucioneve të Shqipërisë për t’u përkulur me mirënjohje të thellë përpara komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari. Ky monument i përjetshëm i qëndresës i heroizmit i sakrificës më sublime të tij dhe të gjithë familjes Jashari, në emër të një Kosove të lirë dhe demokratike të një Kosove evropiane si ajo që është sot dhe si ajo që do të jetë akoma më mirë nesër”, tha z. Meta.

“Sot me këtë rast duke falënderuar edhe mikun tim Murat Jashari dhe gjithë familjen e Jasharëve për gjithçka kanë bërë për çështjen kombëtare, jo vetëm për çështjen e Kosovës, dua njëkohësisht të shpreh edhe një herë tjetër vlerësimin më të lart për luftën e popullit të Kosovës, për luftën e UÇK-së, e cila ishte një luftë e imponuar, ishte një luftë e drejtë, ishte një luftë e cila jo vetëm i dha Kosovës lirinë, i dha Kosovës pavarësinë, por njëkohësisht hapi një perspektivë të shkëlqyer evropiane për të, por edhe për rajonin tonë. I përjetshëm kujtimi i komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, i të gjithë heronjve dhe martirëve të kësaj familje dhe të gjithë Kosovës”, theksoi Kryetari i Kuvendit në një prononcim pas homazheve në Prekaz.  /e.gj/noa.al/  

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit