
Një burrë 47 vjeçar nga Shqipëria është dënuar nga gjykata greke me 34 vjet burgim, nën akuzën se ka abuzuar seksualisht me vajzën e tij për dhjetë vjet rresht.
Dënimi për 47 vjeçarin u dha të premten nga gjykata penale në Selanik, pasi i pandehuri sipas pretencës kishte përdhunuar vajzën e tij që kur ajo ishte 6 vjeç dhe më tej deri në moshën 16 vjeçe.
Ka qenë tezja e vajzës ajo e cila ka denoncuar babanë abuzues në maj 2013. Momenti i denoncimit, po ashtu i dhimbshëm: Vajza ishte e tronditur nga ajo që i ndodhte rregullisht dhe donte të gjente një mënyrë ta ndalte, ndaj tentoi t’i japë fund jetës duke u përpjekur të vetëvritej me prerje damarësh në shtëpinë e tyre në një fshat në pjesën lindore të Selanikut.
Kur pa vajzën në atë gjendje, tezja e dërgoi në spital. Adoleshentja arriti të shpëtonte dhe tezja e nxiti të tregojë pse e bëri. Kur mësoi se vajza nuk donte të pësonte sërish abuzimin seksual të të atit, denoncoi në polici.
Disa muaj pas arrestimit, ditën e djeshme, gjykata ka dhënë vendimin drastik me 34 vjet burgim për akuzat e marrëdhënieve seksuale me dhunë me të mitur dhe incest.
Gjatë seancës finale, i pandehuri mohoi akuzat, duke thënë se nuk mbante mend asgjë dhe nuk mendonte se kishte kryer një krim të tillë.
Unë nuk mbaj mend gjëra të tilla, asgjë nga këto nuk më kujtohet. Ndoshta kam qenë i dehur kur këto kanë ndodhur, – është shprehur 47 vjeçari.
Në gjyq u dëgjuan disa dëshmi, mes të cilave dhe e nënës së vajzës së abuzuar. Ajo tha se për shumë orë gjatë ditës ishte në punë dhe nuk besonte kurrë se i shoqi mund të kishte bërë veprime të tilla. /a.b/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





