Transmetuar më 04-04-2014, 18:36

Kosovë, 4 prill  2014, NOA.al- Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë,  Ilir Meta ka nisur vizitën e tij në Kosovë me një takim në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ku është pritur nga homologu i tij, z. Jakup Krasniqi. Në këtë vizitë, Kryetari i Kuvendit shoqërohej nga deputetët z. Shpëtim Idrizi, z. Gramoz Ruçi dhe z. Luan Rama. Pas takimit, dy kryetarët zhvilluan dhe një konferencë të përbashkët për shtyp.

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Ilir Meta dhe homologu i tij, z. Krasniqi bashkëbiseduan lidhur me perspektivën Evropiane të dy vendeve tona dhe për rritjen e bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Kosovës.

“Jemi mbledhur sot këtu për të shprehur vullnetin tonë më të plotë për të çuar më tej bashkëpunimin misi dy kuvendeve, Kuvendit të Kosovës dhe Kuvendit të Shqipërisë si një kontribut i domosdoshëm për të çuar më tej marrëdhëniet tejet të rëndësishme dhe strategjike midis Shqipërisë dhe Kosovës. Tepër strategjike jo vetëm për të forcuar më tej paqen dhe stabilitetin në të gjithë rajonit tonë, por njëkohësisht dhe për mirëqenien e të gjithë qytetarëve tanë. Kosova dhe qytetarët e saj kanë një rëndësi tejet të veçantë për Shqipërinë dhe për të gjithë ne. Dhe kjo nuk ka të bëjë vetëm me domethënien historike dhe emocionale, por pa diskutim ka të bëjë dhe me perspektivën e përbashkët evropiane të dy vendeve tona dhe të gjithë qytetarëve tanë”, tha z. Ilir Meta.

Kryetari i Kuvendit theksoi nevojën për të intensifikuar shkëmbimet midis Shqipërisë dhe Kosovës. Z. Meta vuri theksin në vijimin e bashkëpunimit midis dy vendeve për të punuar në një mënyrë më të qëndrueshme dhe më konkrete në drejtim të harmonizim të legjislacionit midis dy vendeve .

“Njëkohësisht, dua të shpreh vendosmërinë tonë për të ecur më tej në konkretizimin e bashkëpunimit midis dy kuvendeve, jo vetëm sa i takon intensifikimit të dialogut, por njëkohësisht edhe të gjithë shkëmbimit të niveleve të tjera,edhe në nivel të komisioneve parlamentare. Por, ajo që është më e rëndësishmja, dakordësia për të punuar në një mënyrë më të qëndrueshme dhe më konkrete në drejtim të harmonizim të legjislacionit midis dy vendeve tona. Jo vetëm sa i takon përafrimit të legjislacionit tonë me atë të Bashkimit Evropian, pasi të dy vendet po punojnë në këtë drejtim, por edhe të harmonizimit, pajtueshmërisë së legjislacionit midis të dyja vendeve tona, pasi kjo është mjaft e rëndësishme për të evituar shumë pengesa të cilat vështirësojnë rritjen edhe më dinamike të shkëmbimeve ekonomike dhe tregtare midis Shqipërisë dhe Kosovës”, theksoi z. Ilir Meta.

Kryetari i Kuvendit theksoi se me heqjen e taksimit të dyfishtë, pritet rritja e investimeve nga Kosova në Shqipëri dhe e anasjelltas. “Njëkohësisht, do të doja të nënvizoja rëndësinë e mbështetjes së gjithanshme nga të dyja kuvendet tona të bashkëpunimit midis të dy qeverive dhe të gjithë institucioneve të tjera. Sikurse ju jeni vetë dëshmitarë, ka pasur një intensifikim të marrëdhënieve dhe të bashkëpunimit midis dy qeverive, ka pasur shkëmbime shumë intensive midis ministrave të ndryshëm dhe do të vijohet. Tashmë është zgjidhur edhe çështja e taksimit të dyfishtë, gjë që do të ndihmojë nxitjen e investimeve nga Kosova në Shqipëri dhe anasjelltas”, deklaroi z. Meta.

“Njëkohësisht kemi rënë dakord për të krijuar një infrastrukturë akoma më të mirë doganore, por edhe një infrastrukturë akoma më të mirë që ndihmon rritjen e shkëmbimeve midis të dyja vendeve. Sepse është bërë një investim madhor sikurse është Rruga e Kombit por ende shfrytëzimi i saj nuk është në ato nivele që të gjithë qytetarët tanë presin dhe një perspektivë më e mirë ekonomike e Shqipërisë dhe e Kosovës”, vijoi z. Meta.

Kryetari i Kuvendit shprehu mbështetjen e Shqipërisë për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Z. Ilir Meta theksoi rëndësinë e shpërbërjes së shpejtë e të plotë të të gjitha strukturave ilegale që veprojnë në Kosovë dhe të integrimit të plotë të komunitetit serb në jetën institucionale të Kosovës.

“Njëkohësisht, dua të shpreh mbështetjen tonë sa i takon përparimit të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë me qëllim normalizimin e këtyre marrëdhënieve dhe për këtë dua të theksoj rëndësinë e shpërbërjes sa më të shpejtë dhe të plotë të gjithë strukturave ilegale që veprojnë në Kosovë dhe njëkohësisht rëndësinë e integrimit të plotë të komunitetit serb në jetën institucionale të Kosovës. Kjo do të ndihmojë shumë, jam i bindur, në të gjithë perspektivën evropiane të rajonit tonë”, tha z. Meta.

Në fjalën e tij, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Jakup Krasniqi shprehu se Shqipëria dhe Kosova do të duhet të shohin drejt rrugëve të reja për të rritur bashkëpunimin. Duke folur gjatë konferencës, z. Krasniqi shprehu mbështetjen për të gjitha aktivitet e përbashkëta të dy qeverive për rritjen e bashkëpunimit në të gjitha fushat e jetës.

“Ka rrugë dhe mundësi të tjera për ta shtuar dhe avancuar bashkëpunimin midis dy kuvendeve tona dhe këtë do ta gjejmë. Gjithashtu, si dy Kuvende,ne do të mbështesim të gjitha aktivitet dhe të gjitha angazhimet e dy qeverive tona që kanë për qëllim krijimin e një hapësire të përbashkët në të gjitha fushat e jetës”, tha z. Jakup Krasniqi. /e.gj/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit