
Tiranë, 4 prill 2014, NOA.al- Në takimin e zhvilluar sot nën drejtimin e Ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, në bashkëpunim me Universitetin e Studimeve të Peruxhias në Itali, ku morën pjesë drejtuesit e shërbimeve të kirurgjisë të spitaleve në vend, u diskutua mundësia e ofrimit të shërbimeve të integruara të sterilizimit të instrumentave mjekësorë për sallat e operacionit, ofrimit të instrumentave kirurgjikalë të standardizuar dhe cilësorë, si dhe materialeve të nevojshme një përdorimshe, mbështetur në dokumentin themelor të Strategjisë së Sistemit Shëndetësor, si një risi e menaxhimit kirurgjikal për shërbimet kirurgjikale, spitalore dhe ambulatore, të kirurgjisë së përgjithshme, të kirurgjisë së specializuar, dhe në përgjithësi, për të gjitha ndërhyrjet invazive që kryhen në sistemin shëndetësor shqiptar.
Për këtë qëllim, në takim u prezantuan gjetjet e studimit të zhvilluar në periudhën Janar-Mars 2014 në bashkëpunim me sistemin shëndetësor shqiptar nga USP bazuar në marrëveshjen kuadër të nënshkruar nga Ministria e Shëndetësisë dhe këtij universiteti në dhjetor 2013. Në takimin me drejtuesit e shërbimeve të kirurgjisë, Ministri Beqaj, theksoi se shërbimi inovativ i sterilizimit të instrumentave mjekësorë për kirurgjinë, i propozuar nga Universiteti i Studimeve të Peruxhiaa , ndikon për të rritur edhe sigurinë e qytetarëve që ende nuk janë pacientë, besoj edhe sigurinë e punës tuaj, sepse për fat të keq këto mungesa krijojnë pengesa që mundet të mos ketë shumë rezultat dhe efiçencë dhe produkt puna që ju bëni.
“Unë besoj se ka edhe dy element të tjerë që rrisin imazhin e mirë dhe perceptimin për kujdesin tonë shëndetësor,”- tha më tej ai, duke shtuar se projekte të tilla përbëjnë një element më tepër sigurie për biznesin, investitorët dhe turistët e huaj, pasi, me përmirësimin e shërbimeve shëndetësore në vend, nuk do të ndiheshim më të rrezikuar për shëndetin e tyre gjatë kohës që kryejnë aktivitetet e tyre në Shqipëri. “Sigurisht për këto dy grupet e fundit, të gjithë kanë programet e tyre që në rast emergjencash apo urgjencash t’i përcjellin, t’i riatdhesojnë. Çfarëdo që të ndodhë, 24 orët e para do të duhet të jenë pjesë e sistemit tonë të kujdesit shëndetësor,” – tha z. Beqaj.
Në prezantimin e saj për pjesëmarrësit, Dr. Ing. Vanessa Rossi, nga USP, duke folur për punën në këtë drejtim të grupit të kërkimeve të drejtuar nga Prof. Ing. Gianni Bidini, Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë, në USP, Dr. Rossi tha se këto shërbime inovative janë në mbështetje të gjithë profesionistëve në fushën e kirurgjisë, në shërbim të arritjes së standardit më të lartë për pacientët. /e.gj/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





