Transmetuar më 04-04-2014, 17:54

Kosovë, 4 prill  2014, NOA.al- Numrit të madh të faqeve në Facebook, ku publikohen fotografi të vjedhura private të femrave kosovare, u janë shtuar edhe dy faqe, në të cilat ka kryesisht vajza nga Gjakova.

Pjesa më e madhe e këtyre fotografive u takojnë minoreneve. Një qytetare nga ky qytet ka shkruar në Express duke treguar se i vjen keq për këtë që po ndodh në Facebook, dhe në të njëjtën kohë ndihet e pafuqishme për t’ju ndihmuar ndryshe.

“Pasi nuk gjeta një formë tjetër për t’i ndihmuar bashkë-qytetaret e mija vendosa që t’ ju drejtohem ju me shpresë që do gjej ndihmë”, shkruan kjo qytetare nga Gjakova, e cila lutet që të mbetet anonime.

“Së fundmi janë hapur dy faqe në fb ku po cenohet ose thënë më mirë, po dhunohet privatësia e femrave gjakovare, ku po postohen fotot te tyre personale me përmbajtje të rend, që për familjet e tyre janë shokuese, ndërsa për ato mund të sjellin pasoja të renda”, thotë ajo.

Express për këtë fenomen të cenimit të privatësisë në rrjetet sociale, posaçërisht në Facebook, ka folur edhe me Policinë e Kosovës.

Zëdhënësi Baki Kelani thotë se janë interesuar që ta luftojnë këtë fenomen, prandaj edhe sqaron që krimet kibernetike, ku kryesisht cilësohen këto vepra, trajtohen si krime të rënda.

“Policia e Kosovës i merr për bazë informacionet, për shqyrtim dhe hetim, edhe nga rrjetet sociale. Kemi pasur edhe raste kur nga informacionet e marra nga këto rrjete kemi arrestuar persona, siç ka qene një rast kohë më parë kur kemi arrestuar një person që ka shfaqur fotografi të tij me armë. E kemi gjetur dhe e kemi arrestuar”, thotë Kelani për Express.

Ai sqaron se në parim, rastet si ky i dy faqeve të Facebook-ut në Gjakovë, kur cenohet privatësia e dikujt, duhet të kenë një ankues – një viktimë që e denoncon rastin, dhe Policia me udhëzimet e marra nga Prokuroria e Shtetit i procedon ato.

Sipas raporti të punës së Policisë së Kosovës, vetëm në Departamenti Kundër Krimit të Organizuar ky institucion në dy vitet e fundit ka trajtuar 30 raste të krimeve kibernetike, ku 11 i takojnë viti 2012 dhe 19 raste të tjera viti 2013.

Më shumë se një vit më parë, një person në regjionin e Pejës kishte nxjerr në publik fotografi shumë private, të dërguara me mesazh te ai, nga një shoqe e tij, për çka kjo e fundit kishte tentuar të vriste vetën. Policia e kishte shoqëruar ketë shtetas dhe kundër tij Prokuroria e Shtetit pati ngritur dy aktakuza, një për shtyrje në vrase dhe një për publikim të paautorizuar të materialeve te personat e tretë.

Një raport i kohëve të fundit mbi përdorimin e internetit nga fëmijët në Kosovë nxjerrë të dhëna alarmante. Raporti thekson se mbi 80 % e të miturve në Kosovë kanë llogari të hapura nëpër rrjetet sociale, kryesisht në Facebook, derisa qasja e tyre në faqet me përmbajtje pornografike është shumë e madhe. /e.gj/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit