
Sllovaki, 3 prill 2014, NOA.al- Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes z. Arben Ahmetaj zhvilloi sot një vizitë zyrtare në Sllovaki.
Gjatë takimit me homologun e tij sllovak, Ministri Ahmetaj konfirmoi marrëdhëniet shumë të mira dypalëshe në fushën e bashkëpunimit ekonomik. Ai bëri një prezantim të të gjitha projekteve strategjikë të Shqipërisë në fushën e transporteve, energjisë, turizmit dhe infrastrukturës. Projekte të rëndësishme investimesh si Rruga e Arbrit, Autostrada e Kaltër, Porti i Shëngjinit u konsideruan me interes të përbashkët. Ministri ftoi investimet sllovake në Shqipëri duke theksuar rëndësinë e këtij momenti dhe nismat, reformat dhe vullnetin e Qeverisë shqiptare për përmirësimin e klimës së biznesit në vend.
Sektori i fasonëve ishte një tjetër pikë e rëndësishme diskutimi mes palëve. Ministri Ahmetaj u shpreh se interesi i investitorëve të huaj në këtë sektor po rritet gjithnjë e më shumë, nisur nga avantazhet që Shqipëria ka në koston e ulët të punës, konkurrueshmërisë së vendit dhe afërsisë më pothuaj të gjithë tregjet e mëdhenj.
Ministri sllovak Tomáš Malatinský, shprehu mbështetjen e vendit të tij për integrimin europian të Shqipërisë. Fushat e investimeve potenciale të sugjeruara nga Ministri Ahmetaj, u vlerësuan me interes nga pala sllovake. Ai gjithashtu propozoi organizimin e një Forumi të përbashkët biznesi që do të krijonte hapësira të reja komunikimi dhe bashkëpunimi mes bizneseve dhe sipërmarrjeve në të dy vendet.
Kjo ide u përkrah nga Ministri Ahmetaj, i cili i ftoi bizneset sllovake të marrin pjesë gjithashtu në Forumin e Investimeve që do të organizohet më 12 Maj në Vienë. U hodh gjithashtu ideja e organizimit të një Panairi për Turizmin, në të cilin operatorët turistikë sllovakë mund të njihen me potencialet turistike të vendit tonë.
Në mbyllje të takimit, të dy Ministrat firmosën” Memorandumin e Mirëkuptimit mbi Bashkëpunimin Ekonomik” i cili parashikon angazhimin e palëve në drejtim të:
a) lehtësimit dhe mbështetjes së shkëmbimit dhe kontakteve midis operatorëve të tyre ekonomikë;
b) krijimit të mjedisit të favorshëm për investimet e huaja direkte;
c) lehtësimit të shkëmbimit të informacionit të biznesit dhe atij ekonomik;
d) nxitjes së biznesit nëpërmjet organizimit të panaireve, ekspozitave, simpoziumeve etj.;
e) lehtësimit të shkëmbimit të informacionit mbi aktivitetet brenda tregjeve të brendshme duke përfshirë masat lidhur me mbrojtjen e konsumatorit dhe ndihmën shtetërore;
f) krijimit të klimës së favorshme për bashkëpunim në fushën e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe zhvillimit të tyre;
g) përkrahjes së bashkëpunimit dhe aktiviteteve brenda fushës së përgjegjësive të tyre.
Për këtë qëllim, Palët do të ngrenë Komisionin e Përbashkët Shqiptaro-Sllovak, i cili do të merret me fushat që mbulon ky Memorandum.
Vizita e Ministrit Ahmetaj në Sllovaki do të mbyllet me takimin me Ministrin e Jashtëm sllovak, një rast tejet i rëndësishëm për të diskutuar marrjen e statusit kandidat në Qershor. e.gj/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





