
Tiranë, 3 prill 2014, NOA.al- Sot ka nisur sesioni i parë i trajnimeve me disa nga institucionet e administratës publike që kanë marrëdhënie direkte me sipërmarrjen dhe qytetarët. Administrata publike është një nga prioritetet e integrimit të vendit dhe për këtë qëllim vëmendja e qeverisë është fokusuar në ngritjen e kapaciteteve të punonjësve për krijimin e një administrate etike, profesionale dhe të përkushtuar në shërbim të publikut. Në këtë sesion të parë për t’u trajnuar ishin drejtuesit e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, Agjencisë Kombëtare të Ushqimit, Njësisë së Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, Inspektorati Qendror Teknik dhe të Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor Rural.
Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Integrimit Klajda Gjosha kanë qëndruar për pak në ambientet ku zhvillohej trajnimi dhe kanë dhënë mesazhe për këta drejtues të administratës publike në proces trajnimi.
Në fjalën e saj ministri Gjosha u shpreh se, “në këtë proces ku ndodhet sot Shqipëria, trajnimet tuaja janë me të vërtet shumë të nevojshme, për një arsye thelbësore sepse vërtet në muajin qershor ne kërkojmë statusin kandidat, por shumë shpejt Shqipëria do të hyjë dhe në procesin e negociatave ku kërkohet ekspertizë dhe profesionalizëm. Ndërtimi i institucioneve shqiptare do të jetë dhe prioriteti bazë, që do të na bëjë ne nesër një shtet të sigurt me standardet evropiane, atë që kërkojmë të gjithë sëbashku ta ndërtojmë sot”.
Ndërsa Kryeministri Edi Rama e quajti kualifikimin e vazhdueshëm një vlerë të shtuar duke theksuar bindjen e besimit në këtë proces. “Të gjithë ju që jeni këtu, jeni drejtuesit e asaj pjese të shtetit, të cilat kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me biznesin, e asaj pjese të shtetit që për fat të keq, për arsye të traditës dhe jo prej fajit të asnjërit prej individëve, për shkak të sistemit që është ndërtuar dhe të natyrës së marrëdhënieve që janë krijuar dhe jo për faj të njërit apo të tjetrit, ka një qasje tërësisht të gabuar ndaj sipërmarrjes”.
Më tej Rama u shpreh se, nuk e krijon mirëqenien qeveria, në një sistem si i yni, mirëqenien e krijon në radhë të parë biznesi, nuk i hap vendet e punës qeveria, vendet e punës i hap biznesi, nuk i rrit të ardhurat qeveria, të ardhurat i rrit biznesi. e.gj/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





