
Tiranë, 3 prill 2014, NOA.al- Ratifikimi i marrëveshjes me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN), e cila do të mbështesë qeverinë shqiptare me një fond prej 330.9 milionë euro, po shoqërohet me shumë debate në sallën e Kuvendit. Opozita dhe mazhoranca ndajnë qëndrime në kundërta përsa i përket marrjes së kësaj kredie.
Që në nisje të diskutimit rreth orës 11:30 minuta të paradites së sotme, opozita shprehu rezervat e saj për këtë marrëveshje, duke deklaruar se miratimi i saj do t’u kushtojë shumë shqiptarëve.
Berisha: Rama po ndjek shembullin e Papandreut me Greqinë
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, ish-kryeministri i vendit, Sali Berisha iu kundërpërgjigj Ramës se ai po e çon vendin në krizë, siç bëri Papandreu me Greqinë. “Jemi në një seancë jashtëzakonisht të rëndësishme për qytetarët shqiptar, ku partia në pushtet e cila 8 vite është qepur ditë e natë kundër borxhit, voton sot marrjen e një borxhi me jo një apo dy, por me 21 kushte. Historiku është tërësisht skenari i Papandreut, i cili nisi në fundin e verës, u duk i qartë ku ekspert të shquar botëror i thanë kryetarit të PS se me këto që thua shanset e dështimet i ke 95%.”- tha Berisha.
Sipas Berishës, tetorin që kaloj banka dhe FMN organizuan një seminar, ku i tha tullë se nuk ke program, dhe nëse deri në dhjetor qeveria nuk e ka gati programin, problemi do denoncohet botërisht. “Historia e skenarit grek në Shqipëri është më i dhimbshëm, pasi bazohet tek iluzioni. Në të gjitha konferencat për Shqipërinë ka pasur një konfirmim unanim; Ekonomia nuk ra në recension. Në ekonomi kriza s’ka recension. Kriza është recension. Ekonomia shqiptare ishte nga ato ekonomi më të pakta që i rezistojë krizës, jo vetëm ruajti rritjen, por gjenerojë të ardhurat ndër vite. U dyshifuan të ardhurat, u ndërtuan 11 mijë km rrugë, 1300 shkolla, 720 ujësjellës-kanalizime. Mbi 400 qendra shëndetësore dhe spitale, rroga mesatare u rrit në 270-520 mijë lekë. Shqipëria ndehu krizën padyshim. Reminitancat ranë dhe u kthyen shumë emigrantë. Në vend që të kërkonit forcimin e rritjes së të ardhurave, apo të kalonit në 108 për qind zbritët pritshmëritë”-shtoj më tej Berisha në seancën plenare.
Duke përmendur të gjitha kushtet që FMN i ka vendosur qeverisë Shqiptare, Berisha i citoj të gjitha ato duke iu drejtuar mazhorancës me pyetjen: “Pse FMN për 330 milion euro ka pranuar këto kushte?! Jua ka shkruajtur Sali Berisha këto pika apo vetë FMN?!”- tha Berisha. Berisha i argumentoj se këto kushte u vunë pasi ulur prodhimin e naftës në vend, keni detajuar 14 për qind më pak pije alkoolike, apo duhan. Etj. “Tabelat tregojnë një rënie të theksuar të depozitave. Tabelat tregojnë një rënie në muajin janar-shkurt se keni dy muaj që nuk jepni pensionet e invaliditet”- tha Berisha.
Rama: Marrëveshja garanton rritjen ekonomike
Kryeministri Rama gjatë fjalës së tij në parlament, ka mbrojtur projektligjin për miratimin e huasë me FMN duke u shprehur se ajo garanton rritjen ekonomike.
Kryeministri ka kundërshtuar deklarimet e opozitës duke thënë se kjo marrëveshje nuk ka masa shtrënguese.
Sipas kryeministrit, shkak i marrjes së kësaj huaje është pagesa e borxheve të marra nga qeveria e mëparshme.
Gjithashtu kryeministri Rama përsëriti edhe njëherë se marrëveshja me FMN nuk ka qenë e fshehtë dhe gjithçka është bërë në mënyrë transparente.
Ai shprehu bindjen se me marrjen e kësaj huaje, shumë shpjet do të nisë përmirësimi i situatës ekonomike në vend, e cila ishte një katrahurë e vërtetë.
Ai tha se për këtë marrëveshje qeveria ka marrë mbështetjen e plotë të bordit.
Veliaj: Gropa e pensioneve, sa ndërtimi i rrugës Durrës-Kukës
Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Erion Veliaj, deklaroi sot në Kuvend se reforma e pensioneve është e domosdoshme për faktin se aktualisht i merr buxhetit të shtetit 420 milion dollarë për të subvencionuar skemën defiçitare. Sipas tij, të rinjtë duhet të kuptojnë se po nuk kontribuan sot për pensionin e tyre, nuk do të ketë para për ta, pasi shteti nuk mund të kontribuojë pafundësisht skemën e pensioneve.
“Shqipëria është shteti me moshën më të ulët të daljes në pension në Evropë, e nga ana tjetër, popullsia po jeton më gjatë. Sot me moshën demografike që kemi, një individ merr pension për 30 vjet dhe mjafton të ketë punuar 15 vjet gjatë jetës së tij. Kjo është logjika që na çoi në greminë. Sa për të bërë një krahasim: në skemën e pensioneve hedhim çdo vit ekuivalenten e shumës për ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës. Por, sa mirë do të ishte Shqipëria sikur këto para të shkonin për ndërtimin e shkollave dhe rrugëve të reja?”, tha Veliaj gjatë fjalës së tij në Kuvend. Ai shtoi se me reformën e pensioneve do të rriten të ardhurat, kontributet do të mblidhen më mirë, si dhe do të rritet baza e atyre që kontribuojnë.
Në fjalën e tij, Veliaj tha se kur Partia Demokratike erdhi në pushtet 8 vjet më parë e gjeti vendin me rritje ekonomike 6%, por e la atë me një rritje minimale prej 0.6%. “Pirgu i borxheve ishte aq i madh saqë na duhej ndihmë dhe projektligji i sotëm është një kërkesë për ndihmë. Duhet t’i paguajmë biznesit ato borxhe që krijoi qeveria e mëparshme”, vijoi Veliaj.
Ai kujtoi se alternativa e qeverisë së mëparshme ishte të mos ua jepte për gjashtë muaj ndihmën ekonomike 108 mijë familjeve shqiptare. “Kultura e ‘hamë-pimë se faturat i paguajnë këta që vijnë pas nesh’, duhet të marrë fund”, tha ministri Veliaj.
Ministri Cani, replika me ish-kryeministrin Berisha
Ndërsa mazhoranca shprehet se nëpërmjet kësaj huaje ekonomia shqiptarë do të pësojë përmirësime të dukshme.
Ministri i Financave Shkëlqim Cani, duke folur në Kuvend lidhur me marrëveshjen e huasë me FMN, deklaroi se kjo marrëveshje pret miratim në Kuvend dhe duhet miratuar.
Në vijim ai theksoi se nuk ka fshehtësi në marrëveshje, duke shtuar se në këtë drejtim janë dhënë më shumë dokumente dhe informacione nga sa kërkon huaja.
Sipas tij nëpërmjet saj do të paguhen borxhet e fshehura, ndërsa shtoi se nuk do të ketë rritje taksash, as ulje pagash dhe pensioni.
Ish-Kryeministri Sali Berisha, replikën ndaj ministrit Shkëlqim Cani e nisi me ironi duke thënë se, “Një qyqar me një gomar vjedhin një thesar”.
Në vijim ai kërkoi që të mos fshihen kushtet e marrëveshjes me Fondin Monetar Ndërkombëtar.
“Doni të rrisni taksat, doni të zgjasni moshën e pensionit. Por shqiptarët nuk i besojnë më mashtrimet tuaja. Ju e keni ferr dhe tmerr sepse kjo përbën rëndimin më të madh në 23 vite mbi qytetarët shqiptarë”, u shpreh Berisha.
Gjatë diskutimit në Kuvend lidhur me miratimin e huasë me Fondin Monetar Ndërkombëtar, deputeti socialist Anastas Angjeli deklaroi se miratimi i kësaj marrëveshje ka rëndësi të madhe për ekonominë.
Duke theksuar se marrëveshja e huasë në shumën 330.9 milionë euro, është bërë në transparencë të plotë, ai shtoi se nëpërmjet saj ofrohet garanci për zhvillimin ekonomik dhe rimëkëmbjen.
Në replikë me të deputeti demokrat, Sherefedin Shehu, deklaroi se marrëveshja me FMN është nënshkruar në mungesë transparence, pa u konsultuar me askënd, as me grupe interesi dhe as me institucionet.
Ai theksoi se marrëveshja e përgatitur në fshehtësi bie në kurriz të qytetarëve, duke shtuar taksat dhe detyrimet.
Deputeti demokrat bëri me dije se nëpërmjet kësaj marrëveshje rritet çmimi i energjisë. Po ashtu, sipas tij nëpërmjet marrëveshjes bëhet izolim fiskal i qytetarëve, pasi do të ketë taksa edhe për udhëtimet e tyre, si dhe bllokohet rritja e pagave dhe pensioneve, duke cilësuar si gjënë më të keqe të saj rritjen e moshës së pensioneve.
Ndër të tjera Shehu bëri me dije se synimi i marrëveshjes ishte shlyerja e borxheve, por deklaroi se nëpërmjet saj borxhet gangrenizohen.
Duke marrë fjalën pasi seanca u ndërpre për disa minuta, deputeti demokrat Eduard Halimi deklaroi se, “Huaja merret bazuar në ligj dhe për këtë duhet të zbatoni Kushtetutën dhe marrëveshja po nuk u miratua në Kuvend nuk hyn në fuqi. Sipas Kushtetutës marrja përsipër e detyrimeve financiare bëhet me marrëveshje”.
Tahiri: Opozita mungon për ligje të rëndësishme
Duke marrë fjalën e tij në Kuvend gjatë diskutimit të projektligjit për kujdesin shëndetësor të punonjësve të Policisë së Shtetit, Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, deklaroi se opozita mungon gjithnjë kur miratohen ligje të rëndësishme dhe sidomos për punonjësit e policisë.
Në këtë linjë ai theksoi se qeveria po u përmbahet angazhimeve ndërsa po i krijohet mundësi policisë së Shtetit, duke marrë më shumë përgjegjësi për kujdesin shëndetësor të punonjësve të Policisë së Shtetit.
Në vijim ai tha se policia po vendos rend dhe siguri, duke luftuar krimin dhe korrupsionin. Sipas tij reforma në Policinë e Shtetit është në fazën finale dhe do të shënojë një histori suksesi.
Opozita braktis Kuvendin, Halimi: Rikthehemi për marrëveshjen me FMN
Partia Demokratike dhe opozita në Kuvend kanë braktisur seancën parlamentare qysh në çelje të saj.
Deputeti demokrat Eduard Halimi akuzoi mazhorancën për shkeljen e ligjit në Kuvend, qysh nga shkarkimi i kreut të ILDKP, por edhe për shkelje të tjera ligjore.
Ai bëri me dije se në 8 vite qeverisje, Partia Demokratike nuk ndërpreu asnjë mandat ndonëse ishin emëruar nga Partia Socialiste.
“Ne i kishim 71 vota për të ndërprerë mandatin por nuk e kërkuam. Opozita nuk mund të mbyllë sytë kur vendi rrezikon çdo ditë të rrëshqasë drejt diktatit. Ata burra e gra që janë jashtë të kthehen në punën e tyre pasi janë shkatërruar padrejtësisht nga administrata”, u shpreh Halimi.
Në vijim ai theksoi se opozita do të kërkojë transparencë lidhur me një çështje që është në rendin e ditës, marrëveshjen e qeverisë me Fondin Monetar Ndërkombëtar.
Halimi deklaroi se opozita nuk do të marrë pjesë në diskutimin e pikave të para të rendit të ditës, por do të rikthehen në Kuvend vetëm në momentin që do të diskutohet marrëveshja me FMN.
Pas daljes nga seanca, një grup deputetësh demokratë iu bashkuan protestës të të shkarkuarve nga puna, duke theksuar se opozita do të mbajë marrëdhënie të kushtëzuar me Kuvendin, deri sa të zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për rikthimin e tyre në detyrë./a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





