
Vdekja e Ilia Karelit në burgun grek të Nigritas, ka sjellë reagimin e Amnesty International, e njohur si organizata për të drejtat e njeriut.
Në qëndrimin e AI, thuhet se në policinë greke ka zënë rrënjë prej kohësh një kulturë e mosndëshkimit, racizmit dhe dhunës.
Po në këtë linjë kjo organizatë përmend dhunën e tepruar kundër emigrantëve dhe protestuesve, referuar një hetimi lidhur me policinë në Greqi.
“Në fund të muajit mars 2014 policia në burgun Nigrita të Greqisë së veriut, rrahu për vdekje një të burgosur në qeli. Autopsia zbuloi se ai ishte rrahur keqazi në shputat e këmbëve dhe në gjoks dhe se kishte djegie në duar. Në tre vitet e fundit, ka pasur një shkallëzim dramatik të sulmeve me motiv urrejtjen kundër kundër refugjatëve dhe migrantëve”, thuhet në qëndrimin e Amnesty International.
Ndër të tjera Amnesy International thekson se deri në dhjetor të vitit të kaluar, rreth 50 vetë, duke përfshirë udhëheqësin e Agimit të Artë, dy policë dhe pesë deputetë ishin arrestuar dhe ndaj tyre ishin ngritur padi me akuza që shkonin nga vrasje e deri te shpërthimet për të bërë shantazh.
Në këtë linjë thuhet se dhjetë policë u gjetën se kishin lidhje të drejtpërdrejtë ose të tërthortë me aktivitete kriminale që u atribuohen anëtarëve të Agimit të Artë.
Sipas AI, përfaqësuesit e ligjit thuhet se kanë dështuar të parandalojnë sulme të tilla ose të hetojnë motivin e urrejtjes./a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





