




Tiranë, 2 prill 2014, NOA.al- Kryeqyteti shqiptarë i është bashkuar sot aktiviteteve Ndërkombëtare Ndërgjegjësuese në Ditën Botërore të Autizmit. Krahas qyteteve më të mëdha të botës që ndriçojnë blu ndërtesa dhe simbole të tyre, Tirana ndezi blu Kullën e Sahatit, simbolin e saj. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin kryebashkiaku i Tiranës, z. Lulzim Basha, Zonja e Parë Odeta Nishani, Presidentja e Fondacionit Fëmijët Shqiptarë, zj. Liri Berisha dhe përfaqësuesja e UNDP-së, zj. Zineb Touimi-Benjelloun.
Ndezja blu e Kullës së Sahatit për kryebashkiakun Basha synon të rrisë vetëdijen shoqërore për më shumë veprime në mbështetje të komunitetit autik në Shqipëri.
“Bashkia e Tiranës ka nderin dhe privilegjin t’i bashkohet sot nismës botërore “Ndize blu!”, si pjesë e aktiviteteve ndërgjegjësuese në Ditën Botërore të Ndërgjegjësimit mbi Autizmin.
Duke ju bashkëngjitur misionit të Fondacionit Fëmijët Shqiptarë, Bashkia e Tiranës sjell “Ndize blu!” për herë të parë në Kullën e Sahatit, për të mundësuar shpërndarjen e “dritës blu” mbi këtë monument kulture, njëkohësisht edhe simbol i Bashkisë së Tiranës. Ndriçimi blu i këtij monumenti të trashëgimisë tonë kulturore synon të rrisë vetëdijen shoqërore për më shumë veprime në mbështetje të komunitetit autik në Shqipëri.
Çrregullimet e spektrit të autizmit prekin këdo pavarësisht prej gjendjes shoqërore, pasurore apo prejardhjes. Në Shqipëri, falë kontributit të çmuar të Fondacionit Fëmijët Shqiptarë janë bërë përparime të mëdha në të kuptuarit tonë të çrregullimeve të autizmit. Megjithatë, mbeten pengesa të heshtura në të pranuarit e saj, çka shpesh e bën më të vështirë dhe të pamundur ndonjëherë adresimin e këtyre çrregullimeve dhe përballjen me to” -u shpreh zoti Basha.
Kryetari i Bashkisë ka apeluar për më shumë mundësi dhe fonde për të përmirësuar sa më shumë jetën e personave me çrregullime autike dhe për t’ju ardhur në ndihmë familjarëve të tyre.
“Institucionet, shoqëria, gjithsecili prej nesh, ne, kemi përgjegjësi për të siguruar sa më shumë mbështetje, mjete, mundësi për personat që kanë këto çrregullime që ata të mund të kenë një jetë sa më të mirë të mundshme. Plotësimi i nevojave të personave me çrregullime autizmi dhe mbështetja e familjarëve të tyre mbetet një prioritet i madh për ne, mbetet një prioritet që kërkon punë, përkushtim, kërkon fonde. Ne, duhet të shfrytëzojmë çdo mundësi.
Ndaj sot, bashkë me këtë aktivitet që i bashkëngjitet aktiviteteve të ngjashme, blu ndizen sot ndërtesa dhe simbole urbane dhe civile anembanë botës, bashkë me ndezjen blu të Kullës së Sahatit. Dua të përcjell një mesazh ndaj çdokujt, ndaj institucioneve, ndaj qeveria duhet të akordojë më shumë fonde, qendra të specializuara dhe punonjës të trajnuar për problemin e autizmit në Shqipëri. Po kështu, sistemi ynë arsimor, Ministria e Arsimit duhet të akordojë më shumë për mundësimin e arsimimit me kosto zero për prindërit, për këtë kategori personash”.
Në Ditën Botërore të Ndërgjegjësimit mbi Autizmin zoti Basha u ka kujtuar këtyre personave me çrregullime autike dhe familjeve të tyre se nuk janë vetëm në këtë përballje të madhe.
“ Në Ditën Botërore të Autizmit, sot dua t’u përcjell në emër të Bashkisë së Tiranës, në emër të qytetarëve të Tiranës, një mesazh të gjithë atyre që vuajnë nga këto çrregullime, familjarëve të tyre, mesazhin,-:”Nuk jeni vetëm, shoqëria shqiptare është sot më e vetëdijshme dhe më pranë jush se asnjëherë tjetër dhe sëbashku jam i bindur se do të mundësojmë një jetë më të mirë për ju, më shumë mundësi dhe kujdes” -përfundoi mesazhin e tij kryebashkiaku Basha.
Përfaqësuesja e UNDP-së në Shqipëri zj. Zineb Touimi-Benjelloun ka përcjellë mesazhin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, z. Ban Ki Mun.
Aktiviteti dhe pjesëmarrja e personaliteteve të lartë në të për zonjën Liri Berisha, Presidente e Fondacionit Fëmijët Shqiptarë është inkurajim dhe mbështetje e madhe për personat me autizëm dhe familjarët e tyre.
Në falen e saj zonja Liri Berisha tha, “ju falënderoj që jeni sot këtu në Ditën Ndërkombëtare të Ndërgjegjësimit mbi Autizmin. Prania juaj sot është një kujtesë për këtë ditë, dhe do të doja të falënderoja shumë kryetarin e Bashkisë z.Basha, i cili krijoi mundësinë e këtij aktiviteti duke ndriçuar në blu simbolin e Tiranës dhe duke u bërë, si të thuash, të gjithë bashkë, me kryeqytet më të mëdha të botës në të njëjtën orë, me një ndriçim të tillë blu.
Nga ana tjetër do ta falënderoja shumë sepse inkurajimin që kjo pjesëmarrje e këtyre personaliteteve u bënë familjeve në nevojë, është shumë e madhe, është një mbështetje shumë e madhe. Mendoj se është edhe një mesazh shumë i mirë për të gjithë shoqërinë tonë, që të jemi mbështetës për familjet e prekura nga ky çrregullim, të jemi shtytës që fëmijët e tyre të pranohen në shoqëri si të gjithë fëmijët e tjerë, ashtu siç janë, me problemet që ata paraqesin.
Unë ju falënderoj edhe një herë, nuk dua të zgjatem sepse pas më shumë për problemet teknike, por rritja dhe statistikat në rritje të autizmit janë statistika të tilla që na bëjnë të mendojmë të gjithëve sesi mund ti ndihmojmë këto familje në nevojë kaq të madhe.”
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





