
Bruksel, 2 prill 2014, NOA.al- Pas vizitës në Gjermani, kryeministri Rama ka vijuar vizitën e tij sot në Bruksel ku është takuar me komisionarin për Zgjerimin Stefan Fyle.
Mësohet se komisionari Fyle mirëpriti angazhimin e vazhdueshëm të Shqipërisë për reforma që kanë të bëjnë me integrimin europian dhe përgëzoi veprimet e ndërmarra nga qeveria në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
“Jam i bindur se vendi ka kapacitetin për të zgjidhur sfidat e integrimit europian me vendosmëri”, bëri me dije komisioneri Fyle, i cili gjithashtu mirëpriti qëndrimin e qeverisë në Shqipëri për një qasje gjithëpërfshirëse ndaj reformave bazuar në dialogun konstruktiv dhe përfshirjen e opozitës për qëndrueshmërinë dhe suksesin e reformave.
Komisioneri theksoi se të gjitha energjitë vitale të vendit, duke përfshirë edhe ato të shoqërisë civile, duhet të përdoret për të çuar përpara axhendën e BE-së. Në këtë kontekst, ai theksoi rëndësinë e Dialogut të Nivelit të Lartë në prioritetet kryesore dhe ra dakord me kryeministrin Rama për të mbajtur mbledhjen e ardhshme në fillim të qershorit. Noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





