
Shkodër, 2 prill 2014, NOA.al- Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, ishte sot në Shkodër ku ka marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore të vrasjeve të 2 prillit 1991.
Gjatë fjalës së tij, kryetari Basha , u shpreh se “Shkodra dhe mbarë Shqipëria kujtojnë sot sërish, si çdo vit, me nderim dhe brengë, vrasjen e pabesë 23 vjet më parë në këtë qytet, të Arben Brocit, Bujar Beshanakut, Nazmi Kryeziut dhe Besnik Cekës, katër djem të rinj njëzet vjeçarë, katër studentë njëri më i mirë se tjetri, katër shkodranë në pranverën e parë të ëndrrës për liri dhe demokraci”.
Basha u shpreh se, përkushtimin e tyre deri në vetëmohim e tregojnë shumë bukur kujtimet e gjalla të miqve dhe shokëve të tyre, që u shpalosen edhe sot këtu; e tregojnë dëshmitë prekëse që unë kam patur rastin të dëgjoj sa e sa herë në Tiranë për Arben Brocin, studentin kryelartë të Dhjetorit që u përball plot dinjitet, përkrah shokëve të tij, me ish-Presidentin e kohës, Ramiz Alia në takimin e fitores së pluralizmit, anëtarin e orëve të para dhe një nga drejtuesit më brilantë të Partisë Demokratike në Shkodër. Po kështu edhe për Nazmiun, Bujariun, Besnikun.
“Nuk ka dyshim se vrasja e tyre në demonstratën e 2 prillit në Shkodër ka dhembur më shumë e ka indinjuar më shumë sepse u vranë në befasi, në tradhti, prapa shpine, nga frengjitë e burracakërisë, pashpirtësisë, antishqiptarizmit. Sa më shumë kalojnë vitet dhe sa më shumë zënë vend në ndërgjegjen demokratike të shqiptarëve zakonet dhe standardet e demokracisë europiane, aq më qartë del në pah karakteri politik, qëllimi kriminal dhe absurditeti i vrasjeve dhe plagosjeve të 2 prillit në Shkodër nga forcat e policisë dhe ish sigurimit të shtetit të asaj kohe. Shpeshherë, atë që bën koha në shërbim të së vërtetës nuk e bën dot asnjë lloj hetimi”, tha Basha.
Sipas kryetarit të opozitës, përtej verdiktit që ka dhënë drejtësia, vrasjet dhe plagosjet e 2 prillit rëndojnë përjetë në koshiencën dhe kujtimin e atyre që urdhëruan të qëllohet me armë zjarri mbi rininë shkodrane nga një ndërtesë e destinuar për t’u zhdukur me turp në kujtimet me të këqija, siç ishte selia lokale dhe vetë historia e PPSH-së.
Demokratët e Shkodrës dhe mbarë Shqipërisë e kanë patur të qartë qysh ditën e parë të vërtetën e vrasjeve politike të 2 prillit. Mesazhi që morën me çmimin e humbjes së katër jetëve në lule të moshës ishte se kundërshtari ka ndërruar qimen por jo zakonin, se beteja për lirinë vazhdon, se rruga është e gjatë.
Ne, – tha Basha, – kujtojmë e do të kujtojmë me nderim e mirënjohje të veçantë katër dëshmorët e 2 prillit, katër demokratët tanë të rinj, njezetvjeçarë të përhershëm, që do të rrojnë gjithmonë në zemrat tona. Noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





