Transmetuar më 02-04-2014, 14:07

Tiranë, 2 prill 2014, NOA.al- Zv.ministrja e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Bardhylka Kospiri, bëri me dije kategoritë që përfitojnë nga programet e Fondit të Nxitjes së Punësimit.

Ajo deklaroi se Këshilli i Ministrave miratoi një sërë projektvendimesh mbi programet e nxitjes së punësimit që Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë ka hartuar për t’i dhënë prioritet maksimal punësimit të qytetarëve.

“Pas trefishimit që qeveria i bëri këtij fondi me buxhetin e ri, apo edhe nismës për hapjen e zyrave të reja të punës, ky është një tjetër lajm i mirë. Në bazë të ndryshimeve që u miratuan sot, çdo biznes, person juridik ose fizik ka të drejtë të aplikojë dhe përfitojë nga programet e Fondit të Nxitjes së Punësimit. Me ndryshimet e bëra afati kohor i miratimin të shpërndarjes së fondeve shkurtohet në 10 ditë, me qëllim shpejtimin e impaktit në hapjen e vendeve të reja të punës. Nga ana tjetër, ndryshimet sjellin inovacion me futjen e mjeteve elektronike në publikimin dhe aplikimin për programet e nxitjes së punësimit, lehtësojnë procedurat për subjektet private, si dhe përmirësojnë procesin e miratimit të projekteve”, u shpreh Kospiri.

Ajo theksoi se këto ndryshime kanë për qëllim dhënien me prioritet të fondeve për punësimin e kategorive specifike nё vёshtirёsi dhe grupeve të veçanta të femrave, punëkërkuesve të papunë të rinj, pa profesion, si dhe atyre që përfitojnë pagesë papunësie dhe ndihmë ekonomike, të papunët afatgjatë, personat mbi 45 vjeç që nuk kanë një arsimim më të lartë se arsimi i mesëm ose ekuivalent të tij, personat me aftësi të kufizuar, personat nga komuniteti rom dhe emigrantët e kthyer me probleme ekonomike.

Zv.ministrja deklaroi se për vitin 2014, fushat prioritare për zbatimin e fondit të nxitjes së punësimit janë: industria prodhuese, aktivitetet e lidhura me bujqësinë dhe blegtorinë, industria e turizmit, teknologjia e informacionit, dhe industritë e lidhura me detin./a.y/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit