Transmetuar më 02-04-2014, 12:24

Tiranë, 2 prill 2014, NOA.al- Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, bëri me dije një vendim të marrë gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, duke thënë se ky vendim ka të bëjë me kontrollin shëndetësor bazë për personat me moshë nga 40- 65 vjeç.

Ministri e cilësoi këtë vendim si hapin e parë konkret në Shqipëri për mbulim universal shëndetësor, dhe jo në bazë të sëmundjes.

“Ftojmë të gjithë qytetarët shqiptarë me këtë moshë të bëjnë një kontroll shëndetësor bazë, pa pagesë, pavarësisht nëse janë të siguruar ose jo. Një aksion dhe kontroll i përvitshëm, i cili do të realizohet nga të gjitha qendrat e shërbimit shëndetësor. Vendimi ka përcaktuar se si do të bëhet verifikimi i personave që janë rezidentë në Shqipëri dhe ata do të njoftohen nga mjeku i tyre i familjes”, u shpreh Beqaj.

Ai bëri me dije se në paketën e kontrollit bazë përfshihet këshillim, evidentim, ndjekje e stilit të jetës për parametrat fiziologjik dhe parametrat biokimik.

Gjithashtu ministri informoi se ky shërbim do të bëhet me operatorë të përzgjedhur si dhe do të ngrihet regjistri kombëtar i kontrollit shëndetësor bazë.

Sipas Beqaj, me këtë kontroll bazë do të zhvillohet në stade të tjera kujdesi shëndetësor i qytetarëve shqiptarë./a.y/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit