Transmetuar më 02-04-2014, 10:08

Tiranë, 2 prill 2014, NOA.al- Gjatë aktivitetit me temë “Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, siguron stabilitet në Ballkan dhe integrimin në BE”, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, e cilësoi përvjetorin e pestë si një datë shumë domethënëse për Shqipërinë.

Sipas tij anëtarësimi në NATO, e bëri vendin tonë një Shqipëri krejt tjetër, ku u lanë pas dilemat ekzistenciale.

Ndër të tjera ai nënvizoi se vullneti i mazhorancës por edhe mbështetja e opozitës bindi partnerët për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, duke shtuar se u provuan kapacitetet e një kombi të bashkuar për anëtarësimin.

“Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO varrosi njëherë e përgjithmonë shqetësimet ekzistenciale të Shqipërisë dhe bëri të mundur që shqiptarët të gëzojnë së bashku një imazh dhe reputacion të përmirësuar, në raport me çdo faktor tjetër veçanërisht me faktorin ekonomik, çka u dëshmua edhe kur kriza kishte filluar, por në vendin tonë pati intensifikim të investimeve, rritje të vendeve të punës dhe të mirëqenies. Ndonëse anëtarësimi në NATO ka domethënie simbolike krahasuar me çdo arritje tjetër, anëtarësimi në NATO i shtriu efektet pozitive në çdo familje shqiptare”, tha Basha.

Ai u shpreh se Shqipëria është e vonuar në rrugën e integrimit europian, duke nënvizuar se klima e interesit dhe bashkëpunimit u cenua për interesa të shkurtra politike dhe se 3 ligjet mbajtën peng statusin.

Në këtë linjë shefi i opozitës theksoi se duhet bërë ajo çka nuk është bërë për të ecur përpara, duke përmbyllur fazën e statusit, nëpërmjet konsensusit politik, bashkëpunimit, përmbushjes së reformave dhe zbatim të ligjit.

Basha deklaroi se duhet shtrirë dora e kompromisit, pasi në Bruksel ecet me opozitën dhe me shtetin ligjor, duke nënvizuar se kështu rruga e integrimit do të jetë më e shkurtër.

Gjithashtu kryedemokrati theksoi se falë kontributit të aleancës së atlantikut të veriut Kosova është sot e lirë.

Në fjalën e mbajtur me këtë rast ish-Kryeministri Pandeli Majko, aktualisht deputet socialist, tha se anëtërësimi në NATO shënoi shkëputjen e madhe nga tranzicioni. Sipas tij, anërtarësimi në NATO, i dha vendit një status të ri dhe se NATO në Shqipëri fitoi betejën me kohën.

Në vijim ai shtoi se gjithsesi anëtarësimi në NATO, nuk e ka ndryshuar papëgjegjshmërinë politike, duke theksuar se kjo është një vërtetë që haset kudo. /a.y/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit