



Këngëtarja Vesa Luma këto ditë ka realizuar videon e saj me Jon Tarifa “Supersticius”, një këngë që po komentohet edhe nga mediat e ndryshe të Holandës
Për herë të parë ajo këndon në anglisht me një këngë duet me Jon Tarifa, që po shihet si e suksesshme në Holandë. Por, ajo nuk do të ndalet me kaq. Në intervistën e mëposhtmëe dhënë gazetës "Express", Vesa Luma thotë se muajt në vazhdim do të realizojë edhe një këngë për Prishtinën dhe një album me këngë të vjetra qytetare.
Keni punuar këngën e re “Supersticius”. Pse ky titull dhe pse ky bashkëpunim me Jonin?
Kënga "Superstitious" është kënga më e veçantë e albumit tim "Pop Cult" ..them më e veçantë për disa arsye, sepse për herë të parë kam provuar të këndoj në gjuhën angleze, në një zhanër të veçantë siç është zhanri latin, me një tekst shumë interesant dhe aktual për çdo njeri, si dhe ajo që e ka bërë këtë këngë më speciale është bashkëpunimi me artistin shumë të talentuar dhe të suksesshëm në Holandë, Jon Tarifa, të cilin e falënderoj për prezencën në këngë, klip, si dhe për mikpritjen që na ka ofruar gjatë xhirimeve të videoklipit në Hagë, duke bërë që të përjetojë një eksperiencë shumë të bukur të karrierës sime.
A prisni sukses me këtë këngë?
Klipi ka vetëm pak ditë që ka dalë në treg dhe mbase është herët të flasim për suksesin, por komentet janë shumë pozitive, publiku e fansat e mijë e kanë pritur shumë mirë deri tani. Qëllimisht kam menduar që klipi të lansohet pikërisht këtë stine, si një freski për mua personalisht por edhe për tregun muzikorë. Këngën për herë të parë e kemi promovuar dhe kënduar live në radio stacionin e njohur në Amsterdam "Funx", bashkë me Jonin dhe që nga ajo kohë e sidomos pas lansimit të klipit kemi marr përkrahje shumë të madhe nga mediat holandeze të cilat i kanë dhënë shumë hapësirë kësaj kënge duke e vlerësuar një befasi shumë e madhe për mua dhe një ndjenjë shumë emocionuese.
Po jetoni një jetë në mes të Tiranës dhe Prishtinës. A jeni adaptuar me jetën në kryeqytetin shqiptar?
Është sa e mirë aq edhe e lodhshme kjo lëvizje, por tanimë të dyja kryeqytetet luajnë rol të rëndësishëm në jetën time. Në Tirane kam të fejuarin tim, ndërsa në Prishtinë kam familjen e shoqërinë. Aktivitetet profesionale lidhen me të dyja këto vende andaj adaptimi ka qenë i pashmangshëm.
Propozimi për martesë nga Big Basta ishte shumë romantik . Na përshkruani më shumë këtë moment?
Është një moment që do ta kujtoj gjithmonë më shumë emocion. Ishte një propozim tepër i veçantë që çdo vajzë do ta ëndërronte, e unë jam me fat që e kam përjetuar. Me herët kam qenë hermetike sa i përket jetës private dhe kam premtuar që kur unë do të ndjehem shumë e dashuruar atëherë do të flas. Tani që po flas pa u ndalur të detajet mund të them vetëm që uroj që çdo vajzë të këtë përkrah një udhëtarë të përbashkët të jetës, një shpirt binjak dhe një dashuri të madhe siç e kam unë Geraldin apo Big Basten siç e njohin të gjithë.
Sa jeni e angazhuar me koncerte brenda dhe jashtë vendit?
Ky vit ka filluar më i angazhuar se çdo vit tjetër… sapo jam kthyer nga një turne në Australi, ku me bashkatdhetarët tanë në vende të ndryshme të kontinentit të largët festuam përvjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Me duket se nga këngëtaret e zhanrit tonë, pop dhe hip hop – unë dhe Bigu ishim të paret që hapëm një rruge me këmbë të mbarë besoj edhe për koleget tjerë të zhanrit tonë për të cilët gjithashtu publiku kishte mall. Ishin koncerte shumë të suksesshme dhe përjetuam një mikpritje të madhe nga komuniteti shqiptarë. Qëndruam afërsisht një muaj dhe në të njëjtën kohë i mbaruam para kohë pushimet e verës në mes të dimrit.
A ju mungon X Factor, pjesë e jurisë se të cilit ishit që në sezonin e parë?
Vesa: X Factor ishte një eksperiencë shumë e bukur për mua, ishte viti i parë gjithçka ishte më e vështirë por me ndihmoi shumë për të kuptuar realisht dhe me afër botën e spektaklit. Me mungojnë konkurrentët që kisha në skuadër, edhe pse me vjen keq që produksioni nuk i ka mundësitë të merret veç e veç me secilin nga ata . Uroj nga zemra që të gjejnë rrugën e tyre drejt suksesit.
A ka humbur apo ka fituar X Factor pas largimit tuaj nga juria?
Mbase kjo pyetje duhet t’i drejtohet produksionit, por arsyeja pse unë vendosa të largohem ishte sepse kisha shumë nevojë të përqendrohesha në albumin tim dhe çdo angazhim ekstra me largonte nga vëmendja e madhe që doja ta kisha për album – dhe qe për rezultat ëndrra ime u realizua. Lansova me sukses albumin tim të dytë me një promovim special, me koncerte nëpër vende të ndryshme të Kosovës, bëra katër videoklipe të këngëve të albumit dhe tani po i shijojë sukseset e saj.
Pasi ju shohim rrallë në Prishtinë, ku e kaloni më së shumti kohën e lirë në Tiranë?
Në fakt, kohën e lirë e kalojmë në studion e Bigut "042Zone" aty ku kam realizuar këngët e albumit. Satisfaksioni imë është të shkruaj e të punoj në këngët e reja bashkë me Bigun. Ndërsa, Prishtinën nuk e harroj asnjëherë, e dua aq shumë sa i kushtova një këngë se fundmi dhe sapo kam përfunduar xhirimet e videoklipit që shumë shpejt do të jetë në treg. Në video me kanë nderuar me pjesëmarrje klubi kampion i basketbollit Prishtina, Filharmonia e Kosovës, Plisat, shoqëria ime dhe të gjithë ata me të cilët jam rritur. Ishte ndjenja më e mirë që kam përjetuar ndonjëherë. Mezi po pres t’ua prezantoj.
A po merreni me ndonjë sport?
Përveç fitnesit, fatkeqësisht nuk kam kohë e mundësi të merrem me sport edhe pse dëshira ime është shumë, shumë e madhe.
Më shumë po shikoni filma apo jeni duke lexuar ndonjë libër për momentin?
Të tregohem e sinqertë, libër për herë të fundit kam lexuar verën e kaluar, ndërsa filmat i dua më shumë, por me faza jam ndjekëse e tyre.
Sa ju plotëson Big Basta në rutinën ditore tuajën?
Ne jemi pothuajse gjithë kohës bashkë, punojmë bashkë, jetojmë bashkë, tashmë kemi filluar ta kemi edhe shoqërinë e përbashkët, ndaj është pjesë gati gati e pandashme e jetës sime.
A planifikon për të bërë fëmijë në të ardhmen e afërt?
Fëmijët i duam shumë të dy, por duam ta planifikojmë mirë jetën tonë që fëmijët të kenë një të ardhme të ndritur përkrah nesh.
Me çka dhe si do ta shohim Vesën gjatë këtij viti?
Pas videoklipit " Superstitious" në radhë do të vij kënga dhe videoklipi për Prishtinën, ndërsa gjatë vjeshtës do të punoj për një album me këngë të vjetra qytetare që është një ëndërr tjetër e imja që dua ta bej realitet. Këto vitet e fundit kam kuptuar një gjë shumë të rëndësishme për punën time… Unë muzikën e kam pasion, andaj jam e çliruar nga "ngarkesat" e shumta që vite me parë në fillimet e mija e mbaja në krah (normale për çdo artist në ngritje). Tani me kohë, nga eksperiencat e njëpasnjëshme ka mësuar shumë, ndaj jam duke jetuar një jetë shumë pozitive sidomos në karrierën time. Shpresoj të kem shëndetin e mirë unë dhe familja ime fillimisht, pastaj çdo gjë tjetër është e mirëseardhur.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





