
Danimarkë, 1 prill 2014, NOA.al- Kryetari i Kuvendit Ilir Meta i shoqëruar nga delegacioni parlamentar shqiptar u prit nga Ministri danez i Ushqimit, Bujqësisë dhe Peshkimit z. Dan Jorgensen.
Meta shprehu mirënjohjen e Shqipërisë për kontributin dhe asistencën konkrete që Danimarka ka dhënë në fushën e bujqësisë përmes projekteve si “Neighbourhood Programme” dhe “ProMali”, të cilat kanë impakt pozitiv në zhvillimin rural të bujqësisë në zonat e izoluara nga infrastruktura.
Gjithashtu, Kryetari i Kuvendit u shpreh se Danimarka ka domethënie të veçantë për Shqipërinë në zhvillimin e bujqësisë, agro-përpunimit dhe sektorit të peshkimit, duke vënë në dukje potencialet e jashtëzakonshme të pashfrytëzuara të Shqipërisë në këtë drejtim.
Ministri Jorgensen u shpreh se Danimarka, përmes organizatave të specializuara dhe ekspertëve të saj, do të vazhdoje ta mbështesë Shqipërinë, veçanërisht në ato aspekte ku Shqipëria ka përparësi të natyrshme për shkak të klimës dhe që afrojnë vendin me standardet moderne të Bashkimit Evropian.
Në përfundim të takimit u ra dakord për ngritjen e grupeve reciproke të punës për identifikimin e zonave të tjera të bashkëpunimit mes Danimarkës dhe Shqipërisë, për të vënë në funksion të zhvillimit të bujqësisë dhe peshkimit shqiptar ekspertizën, standardet dhe teknikat me bashkëkohore të Danimarkës.
Ndërkaq, po të martën Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta ka pritur në një takim edhe nga Ministri Danez për Biznesin dhe Rritjen Ekonomike, z. Henrik Sass Larsen.
Gjatë këtij takimi z. Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen e socialdemokratëve danezë në vite, teksa theksoi se asistenca daneze është shumë e rëndësishme për zhvillimin e Shqipërisë.
“Dua të shpreh mirënjohjen time për mbështetjen e pakursyer të socialdemokratëve daneze për Shqipërinë në vite. Asistenca daneze është shumë e rëndësishme për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë”, u shpreh Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë.
Ministri danez Henrik Sass Larsen ka vlerësuar miqësinë personale dhe bashkëpunimin në vite me z. Meta si edhe ka shprehur gatishmërinë e Danimarkës në mbështetjen e programeve ekonomike të Shqipërisë.
“Unë vlerësoj miqësinë personale dhe bashkëpunimin që kemi pasur në vite me z. Ilir Meta. Dua që ta dini se Danimarka e gatshme t’ju mbështesë konkretisht në programet ekonomike të Shqipërisë. Ne duhet të punojmë më shumë për rritjen e shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve”, deklaroi z. Larsen. Nga ana e tij, Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta tha se investitorët danezë janë të mirëpritur në Shqipëri. Noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





