Transmetuar më 01-04-2014, 19:35

Gjermani, 1 prill  2014, NOA.al-  Një takim tjetër, pjesë e axhendës së Berlinit, ishte dhe ai mes Kryeministrit Rama dhe Zëvendëskancelarit e ministrit të ekonomisë dhe energjisë të Gjermanisë, zotit Sigmar Gabriel, i cili është njëkohësisht kryetar i Partisë Social Demokrate gjermane.

Duke i uruar mirëseardhjen kryeministrit, zëvendëskancelari Gabriel shprehu mbështetjen për qeverinë e re shqiptare dhe kryeministrin Rama në rrugën e zhvillimit dhe progresit të Shqipërisë. Ai vlerësoi arritjet e deritanishme të qeverisë shqiptare në prioritetet e saj më të rëndësishme, e në mënyrë të veçantë  në luftën kundër korrupsionit.

Zëvendëskancelari gjerman u shpreh për mbështetjen  e plotë të Gjermanisë ndaj integrimit europian të Shqipërisë, duke theksuar se ajo si deri tani, do të vijojë të përkrahë Shqipërinë në këtë rrugëtim të rëndësishëm për të.

Zëvendëskancelari gjerman siguroi se Gjermania do të rrisë prezencën ekonomike të saj në Shqipëri, nëpërmjet investimeve në fusha me interes të përbashkët.

Nga ana e tij, kryeministri Rama i shprehu zotit Gabriel mirënjohjen e veçantë për mbështetjen që Gjermania vijon ti ofrojë Shqipërisë, në shumë aspekte, në rolin e një partneri kyç për të. Kryeministri e njohu zëvendeskancelarin gjerman me përpjekjet e qeverisë shqiptare për krijimin e një klime sa më të përshtatshme dhe inkurajuese për investimet e huaja, duke ftuar në të njëjtën kohë investitorët gjermanë të zgjerojnë sipërmarrjet e tyre edhe në Shqipëri. Noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit